Inflacioni ka kapërcyer nivelin 3% gjatë nëntorit, tregojnë shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Kështu, norma e inflacionit gjatë nëntorit ka arritur në 3.1%, nga 2.4% që ishte gjatë muajit paraardhës, dhe nga 1.6% që ishte gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë. Krahasuar me muajin tetor ndërkohë, çmimet e konsumit në vendin tonë janë rritur me 0.2%. Shifrat sinjalizojnë se pas dy muajsh në pritje, presionet inflacioniste janë konkretizuar, duke tejkaluar madje edhe objektivin e Bankës së Shqipërisë sa i përket inflacionit, që “flet” për një normë pranë 3%. Norma prej 3.1% e regjistruar në nëntor është më e larta që prej shkurtit të vitit 2011, kur inflacioni ngjitej në 4.5%.
Sa i përket ndikimit në normën e inflacioni sipas grupeve kryesore, shifrat tregojnë se grupi i “ushqimeve dhe pijeve joalkoolike” ka pasur impaktin më të madh, me 1.77 pikë përqindje, ndjekur nga transporti me 0.47 pikë përqindje. Edhe çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë pasur një ndikim të ndjeshëm, prej 0.34 pikë përqindje, sinjalizojnë të dhënat zyrtare në lidhje me indeksin e çmimeve të konsumit.
Ndërkohë, grupi me rritjen më të madhe të çmimeve të konsumit, krahasuar me nëntorin e një viti më parë rezulton ai i “transportit”, ku shtrenjtimi fiksohet në 8.8%. Më pas ndjek grupi i “ushqimeve dhe pijeve joalkoolike”, me 5%. Por, vetëm ushqimet ndërkohë rezultojnë të jenë 5.4% më të shtrenjta se e njëjta periudhë e një viti më parë, me frutat që udhëheqin shtrenjtimin, pasi në nëntor kanë qenë rreth 14% më të “kripura” se një vit më parë. Për ushqimet, rritja e çmimeve rezulton të jetë më e larta që prej janarit të vitit 2017, kur fiksohej pranë 6.2%. “Vajrat” rezultojnë 8.7% më të shtrenjta në nëntor të këtij viti, krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Edhe “buka dhe drithërat” regjistrojnë një rritje të ndjeshme të çmimeve në terma vjetorë, prej 6.6%. “Qumështi, djathi dhe vezët” ndërkohë rezultojnë 4.3% më të shtrenjta se një vit më parë. Edhe sheqernat regjistrojnë një rritje të ndjeshme të çmimeve, prej 5.5%, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave. “Pijet joalkoolike”, “kafja, çaji, kakao” si dhe “uji mineral” ndërkohë regjistrojnë një rritje të çmimeve prej vetëm 1% respektivisht.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments