Inflacioni gjatë prillit është ngjitur edhe më tej, duke prekur një normë prej 6.2%, tregojnë shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë, inflacioni fiksohej në 1.9%, ndërkohë që gjatë marsit fiksohej në 5.7%. Krahasuar me marsin e këtij viti, çmimet e konsumit në vendin tonë rezultojnë të jenë rritur me 0.7%, tregojnë shifrat zyrtare. Nga ana tjetër, një normë inflacioni prej 6.2% rezulton të jetë më e larta që prej prillit të vitit 2002, pra niveli më i lartë në dy dekada.
Sa i përket zërave që kanë dhënë kontributin më të madh në rritjen e çmimeve me 6.2% gjatë prillit të këtij viti, krahasuar me prillin e një viti më parë, vëmë re se ndikimin më të madh e ka dhënë pikërisht kategoria e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, me 3.56 pikë, dhe më pas transporti me 1.23 pikë. Në vend të tretë, me 0.49 pikë ndërkohë qëndron kategoria që përfshin edhe hidrokarburet, së bashku me qiranë, energjinë, ujin.
Ndërkohë, po të shohim ndryshimin vjetor të çmimeve sipas kategorive vëmë re se rritjen më të madhe e regjistron transporti, me çmimet 22.5% më të larta se prilli i vitit të kaluar. Në vend të dytë ndjekin ushqimet dhe pijet joalkoolike me 9.9% rritje vjetore. Ndërkohë, zëri që i referohet lëndëve djegëse dhe energjisë regjistron sipas INSTAT një rritje vjetore prej 5.2% dhe një rritje mujore, pra krahasuar me muajin mars të këtij viti, prej vetëm 0.1%.
Sa i përket kategorisë së ushqimeve ndërkohë, këto të fundit, pra duke përjashtuar pijet joalkoolike rezultojnë 10.4% më të shtrenjta se një vit më parë. Rritjen më të madhe brenda kësaj kategorie e regjistrojnë vajrat, me rreth 24% rritje vjetore të çmimeve. Në vend të dytë, sa i përket rritjes më të madhe të çmimeve renditen produktet e bulmetit, së bashku me vezët, ku rritja fiksohet në rreth 17%. Në vend të tretë ndjek buka dhe drithërat me rreth 16.7% rritje vjetore të çmimeve. Sa i përket ushqimeve, shifrat e prillit sinjalizojnë se frutat dhe zarzavatet kanë ndalur disi hapin e shtrenjtimit, krahasuar me muajt paraardhës, kur regjistroheshin shifra dyshifrore. Për këto dy kategori, çmimet gjatë prillit të këtij viti, krahasuar me prillin e një viti më parë rezultojnë 4-5% më të shtrenjta. Një tjetër kategori e zërave të ushqimit që regjistron rritje të lartë është edhe ajo e sheqernave dhe ëmbëlsirave, me çmimet rreth 14% më të larta se prilli i vitit të kaluar.
Shifrat e indeksit të çmimeve të konsumit tregojnë gjithashtu një rritje të ndjeshme të çmimeve për kategorinë e bareve, restoranteve dhe hoteleve gjatë prillit, prej rreth 4.9%. Ndërkohë vihet re një rritje minimale për veshjet në tërësi, apo edhe çmime në rënie për disa kategori.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments