Raporte

Gratë, biznesi dhe ligji në Shqipëri/ Raporti i BB: Renditemi në vend të 35-të në botë, të tretët në rajon, pas Kosovës dhe Serbisë

0

“Banka Botërore” ka publikuar së fundmi raportin “Gratë, Biznesi dhe Ligji” për vitin 2022. Ky raport është i treti në seri dhe mat ligjet e rregulloret që ndikojnë në mundësitë ekonomike të grave në 190 ekonomi të botës. Raporti paraqet tetë tregues të strukturuar rreth ndërveprimeve të grave me ligjin të cilat janë: lëvizshmëria, vendi i punës, paga, martesa, prindërimi, sipërmarrja, dallimet gjinore në pronë dhe në trashëgimi, si dhe pensionet. Mes sfidave të vazhdueshme të zhvillimit të grave identifikohen pengesa të shumta. Për këtë arsye, qeveritë mund ta përdorin këtë raport për të identifikuar barrierat për suksesin e grave, heqjen e tyre dhe nxitjen e përfshirjes ekonomike si dhe inkurajimin e ligjeve të cilat nuk janë diskriminuese. Në këtë raport përfshihet dhe vendi ynë, i cili është vlerësuar me 91.3 pikë në indeksin e përgjithshëm, nga 100 pikë në total dhe është renditur në vend të 35-të mes 190 vendeve.

Por, si paraqitet situata e Shqipërisë nëse do të analizonim secilën shtyllë të indeksit. Vendi ynë ka një vlerësim maksimal sa i përket lëvizjes së lirë apo dhe vendit të punës. Po ashtu, vlerësim maksimal kemi regjistruar dhe për ligjet dhe rregulloret mbi pagat e grave, kufizimet ligjore ne martesë, drejtimet e bizneseve nga gratë si dhe për dallimet gjinore në pronë dhe në trashëgimi. Vlerësimin më të dobët e kemi sa i përket prindërimit, pra se si ligji ndikon te gratë pas lindjes së një fëmije. Për këtë indikator vendi ynë është vlerësuar më 80 pikë nga 100 në total. Po ashtu një tjetër indikator ku ne jemi vlerësuar me vetëm 50 pikë nga 100 pikë në total, është efekti i ligjit në masën e pensionit të grave. Raporti mes të tjerash shton se në Shqipëri, moshat e pensionit të plotë dhe të pjesshëm për burrat dhe gratë janë të pabarabarta dhe gratë duhet të paraqesin dokumentacion shtesë për të marrë përfitimet e tyre të pensionit, të cilat burrat nuk duhet t`i dorëzojnë. Dallime si këto, jo vetëm që e bëjnë më të vështirë procesin e përfitimit të pensionit për një partner, por edhe përkeqësojnë pabarazinë gjinore në pleqëri.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e treta. Në vend të parë me më shumë pikë është vlerësuar Serbia, me 93.5, ndjekur nga Kosova me 91.9 pikë. Vendi ynë ka lënë pas Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën, të cilat janë vlerësuar me nga 85 pikë secila. Po ashtu, dhe në vendet e rajonit vlerësimet më të dobëta shkojnë për ndikimin e ligjit në masën e pensionit të grave.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rritja e naftës na “fshin” 11.4% të pagës mujore/ Konsumi “përkthehet” në rreth 5200 lekë shtesë në muaj për çdo shofer

Postimi mëparshëm

Inflacioni “ngjitet” në 3.9%/ “Transporti” dhe “ushqimet” nxisin shtrenjtimin më të madh të çmimeve që prej 2011-ës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.