Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është e para ndër institucionet ndërkombëtare që ka përditësuar projeksionet sa i përket rritjes ekonomike që prej shpërthimit të luftës në Ukrainë. Sa i përket ekonomisë shqiptare, rritja ekonomike fiksohet në 3.3% këtë vit, ose 0.4 pikë përqindje më poshtë se projeksionet e kaluara, ato të nëntorit të vitit të kaluar. Kjo shifër, pra 0.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duket të jetë vlerësimi paraprak për impaktin e krizës ekonomike të shkaktuar nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, në vendin tonë. E përkthyer në vlerë absolute, bazuar në projeksionet e qeverisë shqiptare, por edhe ato të institucioneve të tjera ndërkomnbëtare mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto nominal të vendit gjatë 2022-shit, impakti i krizës në terma prodhimi ekonomik fiksohet mbi 61 milionë euro.
Por, si paraqitet Shqipëria krahasuar me vendet e tjera të rajonit sa i përket kësaj “fature” paraprake të luftës? Rezulton të jetë vendi që do të vuajë impaktin më të ulët, sipas raportit të BERZH mbi perspektivën ekonomike rajonale. Të gjitha vendet e tjera të rajonit pritet të kenë një impakt në terma të PBB-së, më të lartë se Shqipëria. Kosova ndjek me një impakt në 0.5% të PBB-së, më pas Bosnje Hercegovina me 0.7%, Serbia dhe Maqedonia e Veriut me nga 1% secila, dhe në fund fare Mali i Zi, me luftën që pritet t`i heqë rreth 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të pritshëm për këtë vit.
BERZH sqaron në raport se të gjitha vendet e rajonit do të impaktohet nga pasojat e luftës, kryesisht nëpërmjet rritjes së çmimeve të energjisë, ndërkohë që veçon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si vende më të ekspozuara, rrjedhojë e varësisë që kanë ndaj imporeteve të energjisë elektrike.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments