Pasuria e familjeve shqiptare fiksohet në rreth 5.7 milionë lekë, çka përkthehet në 48 mijë euro. Këto të dhëna dalin në pah nga vrojtimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë që i referohet vitit 2019 dhe bazohet mbi një anketim mbi rreth 2200 familje. Shifra prej 5.7 milionë lekësh i referohet parimit të medianës dhe jo mesatares. Sipas kësaj të fundit, pasuria totale mesatare e familjeve shqiptare fiksohet në rreth 8.5 milionë lekë. Por, duke qenë se parimi i medianës tregon më shumë realitetin kur ka diferenca të mëdha, atëherë pikërisht ky parim është më i afërt me realitetin. Në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë thuhet ndër të tjera se 10% e familjeve shqiptare zotërojnë rreth 1/3 e pasurisë totale, ose 32%.
Nga të dhënat shohim gjithashtu se, 93% e pasurisë së familjeve shqiptare në fakt është në formën e pronës, makinës, dhe shumë pak në formën e sendeve me vlerë, ndërkohë që vetëm 7% është në formën e aktiveve financiare, pra pasurisë në para. Banesa duket se zë jo vetëm peshën kryesore në asetet reale të familjeve shqiptare, por edhe peshën kryesore të aktiveve totale. 93% e familjeve shqiptare zotërojnë një banesë kryesore, sipas vrojtimit.
Vlera mediane e banesës kryesore për familjet shqiptare fiksohet në rreth 4.9 milion lekë, tregon vrojtimi. Ky vlerësim është bërë në formën e perceptimit, pra se sa mendojnë vetë familjet se vlen banesa e tyre në rast se shitet. Më pas vijnë pasuritë e tjera të patundshme, me rreth 1.3 milionë lekë dhe më pas biznesi familjar. Sendet me vlerë ndërkohë përfaqësohen me vetëm 30 mijë lekë.
Banesa kryesore përbën kështu rreth 70% të totalit të pasurisë reale të familjeve, pra pa përfshirë pasurinë financiare, çka do të thotë se banesa kryesore përbën rreth 65% të pasurisë së familjeve shqiptare. Pasuritë e patundshme ndërkohë, përbëjnë aktivin e dytë më të rëndësishëm në vlerë për familjet shqiptare, me 19% të pasurisë reale, ose rreth 17.6% të pasurisë totale. Rreth 1 në 3 familje shqiptare deklaron se ka një pronë të dytë pëveç banesës, ose 36% e totalit. Në masën 71% kjo pronë është në formën e tokës, 12% në formën e një ferme bujqësore, 8% si një shtëpi e dytë, 5% si dyqan dhe 4% një pasuri të patudnshme në një formë tjetër. Kështu, rezulton se rreth 25% e familjeve shqiptare kanë një tokë, 2.8% një shtëpi të dytë, 1.8% një dyqan dhe rreth 4.3% një fermë bujqësore.
Sa i përket pasurisë financiare ndërkohë, vrojtimi tregon se mesatarisht fiksohet në 0.53 milionë lekë, ose 0.3 milionë lekë sipas parimit të medianës, ose rreth 2500 euro.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments