Të dhënat e “Agjencisë Europiane të Statistikave”, mbi varësinë nga importet e energjisë, tregojnë se gjatë vitit 2020, Shqipëria importoi 30.7% të energjisë që ka konsumuar. Krahasuar me vitin 2019-të vërehet një rënie me 0.8 pikë përqindje, si pasojë e kërkesës së kufizuar për shkak të pandemisë Covid-19. Po të hedhim një vështrim që nga viti 2011, shohim se ky tregues ka arritur pikën më të lartë gjatë vitit 2017-të, duke regjistruar rreth 38% import të energjisë. Shifrat tregojnë se Bashkimi Europian importoi 57.5% të energjisë që konsumonte, gjatë vitit 2020, duke pësuar një rënie me gati 3 pikë përqindje, krahasuar me vititn 2019-të.
Po të bëjmë një krahasim me vendet e rajonit, shohim se Maqedonia e Veriut, regjistron nivelin më të lartë të importit të energjisë që konsumon, me 63.2%. Në rajon, Shqipëria renditet e dyta, ndjekur nga Serbia, e cila gjatë vitit 2020, importoi 29,8% të energjisë që konsumonte. Të dhënat për Kosovën, tregojnë se ka importuar 29.5% të energjisë. Mali i Zi renditet në fund të vendeve të rajonit me nivelin më të ulët të energjisë së importuar, me 27.4%. Për Bosnje Hercegovinën të dhënat për vitin 2020 nuk janë të disponueshme. Nga një panoramë e përgjithshme e të gjitha vendeve që kanë të dhëna, shohim se Malta mban vendin e parë dhe gjatë vitit 2020 ka importuar 97.55% të energjisë që konsumon.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments