Në analizën më të fundit të kreditit për vendin tonë, të siguruar ekskluzivisht nga “Scan Intelligence Unit”, agjencia e vlerësimit të kreditit, Moody`s vlerëson me notë aspekte të ndryshme të ekonomisë sonë. Në 2 prej 6 indikatorëve, agjencia ka ulur notën.
Indikatori i forcës ekonomike është zhvlerësuar, nga “ba1”, në “ba3”. “Ne e kemi ulur notën nga “ba1” sepse besojmë se forca ekonomike e Shqipërisë është më e dobët, si pasojë e diversifikimit të kufizuar të ekonomisë si dhe bazës së ngushtë të eksporteve, krahasuar me vendet e tjera që ndajnë të njëjtën notë vlerësimi të borxhit, si Bosnje Hercegovina, Armenia, Gjeorgjia apo Serbia”-thotë Moody`s mes rreshtave.
Indikatori tjetër i zhvlerësuar është ai i forcës fiskale. “Ne e vlerësojmë forcën fiskale të Shqipërisë në “b1”, nën vlerësimin e mëparshëm në “ba2”, duke reflektuar rrezikun që vjen nga detyrimet e prapambetura”-thotë më tej agjencia, duke nënvizuar barrën e lartë të borxhit publik si një faktor të lartë risku.
Katër indikatorët e tjerë ndërkohë kanë ruajtur të njëjtën notë. Likuiditeti i qeverisë, vulnerabiliteti i jashtëm, institucionet dhe sektori bankar ruajnë të njëjtën notë. Sa i përket sektorit bankar, të vlerësuar me notën “ba”, të pandryshuar, agjencia nënvizon se është likuid dhe i mirëkapitalizuar. “Vlerësimi ynë në “ba” për sektorin bankar të Shqipërisë reflekton një sistem të madh, por të mirëkapitalizuar”-nënvizon agjencia, e cila shton se sektori vuan nga niveli i lartë i euroizimit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments