Raporte

Ekskluzive/ Moody`s për impaktin e luftës, në Shqipëri: “Shkurtojmë projeksionet, pasiguri e lartë, turizmi do të preket”

0

“Scan Intelligence Unit” ka siguruar ekskluzivisht raportin më të fundit të Moody`s për Shqipërinë, me një vlerësim në B1 me perspektivë të qendrueshme, të pandryshuar. Raporti periodik vjen pas ndryshimit të projeksioneve për vendin tonë, rrjedhojë e krizës që ka shkaktuar lufta në Ukrainë. Pikërisht ky zhvillim merr edhe një vëmendje të zgjeruar nga gjigandi i vlerësimit të kreditit. Sa i përket projeksioneve për rritjen ekonomike gjatë këtij viti, ato janë shkurtuar ndjeshëm, nga 4.5% që ishin më parë, në vetëm 3.4% tanimë.

“Ndërkohë që projektohej që rritja e fortë ekonomike të vazhdonte gjatë 2022 dhe 2023, duke marrë mbështetje nga një rimëkëmbje e fortë e turizmit dhe kërkesës së brendshme, ne i rishikuam parashikimet e rritjes për Shqipërinë si pasojë e impaktit jo të drejtpërdrejtë të konfliktit ushtarak dhe sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë. Çmimet e larta të energjisë dhe lëndëve të para krijojnë një presion inflacionit që çon në dobësim të kërkesës së brendshme dhe rritje më të ulët ekonomike. Rritja me e ulët ekonomike në vendet e origjinës së turistëve do të ketë gjithashtu impakt negativ në sektorin e turizmit”-sqaron agjencia.

Pavarësisht se ky projeksion është në linjë me parashikimet më të fundit të Bankës Botërore dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përbën zhvlerësimin më të madh për ekonominë shqiptare ndër institucionet ndërkombëtare si pasojë e luftës, me 1.1 pikë përqindje. Edhe për vitin e ardhshëm projeksionet janë rishikuar në rënie sa i përket rritjes ekonomike, nga 4% në 3.6%.
Ndërkohë, mes reshtave Moody`s sqaron se, pavarësisht zhvlerësimit, këto projeksione përfaqësojnë një pasiguri të lartë. “Parashikimi jonë ekonomik dhe fiskal për vitin 2022 dhe 2023 është mjaft i pasigurtë si pasojë e konfliktit ushtarak në vazhdim mes Rusisë dhe Ukrainës dhe rrezikut të një përshkallëzimi apo zgjerimi të këtij konflikti”-nënvizon agjencia.

Ndër të tjera, rreziqet e Shqipërisë në optikën e Moody`s, si një organizëm që vlerëson pikërisht rreziqet, janë të shtuara së fundmi edhe si pasojë e të qënit pjesë e NATO-s, me nenin 5 të traktatit që e detyron të përfshihet ushtarakisht në rast se sulmohet një vend i aleancës.

Ndërkohë, sa i përket inflacionit, agjencia parashikon një normë të rritjes së çmimeve mbi 5% këtë vit, dhe pranë rreth 4% vitin e ardhshëm.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

A dëmtohet Shqipëria nga vendimi i Kosovës? Ndalimi i eksporteve, Shqipëria importon minimalisht nga Kosova produktet e ndaluara

Postimi mëparshëm

Pakësohet popullsia e Shqipërisë/ Regjistohen 1.3% më pak banorë, Tirana e vetmja me rritje, Gjirokastra me rënien më të madhe

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.