Tabela e Nivelit Ekonomik Botëror 2021 (World Economic League Table), e cila mat suksesin ekonomik të vendeve të botës, ka publikuar së fundmi edicionin e trembëdhjetë të tij. Ky edicion, temat kryesore i lidh me pandeminë dhe ndikimin që ka patur në sfera të ndryshme. Raporti tregon se edhe pse me variantet e reja në qarkullim, me ndihmën e fushatës së vaksinimit, do të arrithet të rikuperohen dëmet dhe pritet që Produkti i Brendshëm Bruto të jetë më i lartë gjatë vitit 2022. Tabela e Nivelit Ekonomik Botëror, ka mes të tjerash dhe të dhëna për vendin tonë. Raporti tregon se pas një tkurrjeje të PBB-së prej 3.3% në 2020, ekonomia pritet të jetë rritur me 5.3% në 2021. Në vitin 2021, borxhi i qeverisë si pjesë e PBB-së u ngjit në 81.5%, edhe më i lartë se 77.6% e regjistruar në vitin 2020. Huamarrja e qeverisë si pjesë e PBB-së ishte 6.7% në 2021. Këto shifra nënkuptojnë se borxhi i sektorit publik do të vazhdojë të jetë një sfidë për ekonominë në të ardhmen. Gjatë vitit 2021, Shqipëria renditej në vend të 123-të në botë për nivelin e PBB, dhe po ashtu këtë renditje pritet ta ruajë edhe gjatë vitit 2022. Raporti parashikon se vendi ynë do të ketë një përkeqësim të lehtë në renditje gjatë viteve në vijim. Në vitin 2026, Shqipëria pritet të renditet në vend të 125-të. Edhe pse vërehet një rritje e Produktit të Brendshëm Bruto nga viti 2021, në vitin 2022 dhe 2026, përsëri raporti parashikon se do të ketë një ngadalësim të rritjes gjatë viteve në vijim. Në vitin 2022, Produkti i Brendshëm Bruto, në Dollarë, me çmime konsatante, regjistrohet në 16 bilion dollarë. Në vitin 2026, kjo shifër regjistrohet në 18 bilion dollarë, për të ardhur në 23 bilion dollarë gjatë vitit 2031.
Klikoni këtu për të parë raportin e plotë
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments