Numri i lejeve të ndërtimit është regjistruar sërish në rritje, edhe për tremujorin e dytë të vitit 2021. Mbështetur në të dhënat nga Instituti i Statistikave, mbi “Lejet e Ndërtimit” në tremujorin e dytë të këtij viti, u dhanë 347 leje , një rritje me 66 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, i cili regjistroi 209 leje. Ndërkohë, në tremujorin e parë të këtij viti, numri i lejeve të reja të dhëna fiksohet pranë 251 të tillave. Të njejtin ndryshim ka pësuar edhe treguesi i sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit, i cili vjen në rritje me 68.8% këtë tremujor nga 322 294 m2 i miratuar në 2020-ën në 544 127m2 gjatë këtij viti. Në tremujorin e dytë të vitit 2021 vlera e përafërt e leje të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 23.1 mld lekë duke shënuar po ashtu një rritje me 55.8%.
Numri i lejeve dominohet nga ndërtimet rezidenciale, kryesisht nga ndërtesa me një kat ose me dy kate, por tendenca e ndërtimeve të reja prej vitesh është pozitive edhe në sektorin e biznesit. Nga të dhënat e marra në shqyrtim shohim se nga 347 leje gjithsej 252 janë dhënë për ndërtime rezidente dhe 95 janë dhënë për ndërtesa jo rezidente. Mes lejeve për ndërtesa jo rezidente, numrin më të madh të lejeve e regjistrojnë ndërtesat industriale, me 34 leje.
Po të flasim mbi lejet e ndërtimit sipas qarqeve, shohim se për tremujorin e dytë të vitit 2021 qarku me më shumë leje është ai i Durrësit, i njdekur nga kryeqyteti. Ky qark, jo vetëm që rregjistron më shumë leje ndërtimi, por gjithashtu ka shënuar dhe rritjen më të madhe, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë, me 270.4%. Në tremujorin e dytë të këtij viti janë dhënë 100 leje ndërtimi në këtë qark, nga 347 në total. Ndërkohë, në tremujorin paraardhës, kjo shifër fikoshej në 44. Nga ana tjetër qarqet me numrin më të ulët të lejeve të ndërtimit rezultojnë qarku i Gjirokastrës, qarku i Lezhës, dhe i Kukësit me nga 4 leje ndërtimi secili. Ndërkohë, qarqet që kanë pësuar rënie të numrit të lejëve të ndërtimit në terma vjetorë janë Qarku i Lezhës, që ka dhe rënien më të madhe me 66.7%, Qarku i Shkodrës, i Gjirokastrës dhe i Dibrës.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments