Shqetësimet kryesore të aktualitetit sot në Shqipëri dhe Europë duket se janë inflacioni, çështjet e shëndetit, financat personale, situata e përgjithshme ekonomike dhe kushtet e jetesës, tregojnë të dhënat e barometrit standard të Komisionit Europian për periudhën 2021-2022. Barometri Standard është një publikim periodik, i cili bazohet në vlerësimet e qytetarëve rreth treguesve mbi të cilat qëndrojnë themelet bazë të një shoqërie demokratike si dhe perceptimi i përgjithshëm ndaj çështjeve të Bashkimit Europian. Raporti tregon gjithashtu se si janë përgjigjur të anketuarit mbi situatën ekonomike dhe çështjet politike përgjatë muajve të fundit të vitit 2021 dhe pjesës së parë të vitit 2022. Kështu, rreth një mijë të anketuar në Shqipëri janë pyetur se cilat përbëjnë dy prej sfidave kryesore me të cilat janë përballur gjatë periudhës të marrë në studim sa më sipër. Kur shpejgojnë pritshmëritë e tyre rreth nivelit të përgjithshëm të çmimeve apo inflacionit, 51% e Europianëve shprehen tejet të shqetësuar rreth kësaj situate përkundrejt 38% të shqiptarëve, çka na lë të nënkuptojmë për një qëndrim më të tërhequr të vendasve rreth kësaj teme që kohët e fundit ka marrë vëmendje të shtuar nga të gjitha mediat botërore.
Ndërkohë që nëse do ta trajtojmë këtë raport duke parë dhe anën tjetër të medaljes duket se për të gjitha çështjet sa më sipër një shqiptar “bezdiset” më pak se një europian, me disa ndyshime të vogla. Po çilat janë “bezdisjet” e përditshmërisë së një shqiptari, bazuar gjithmonë mbi të dhënat më të fundit të barometrit standard të Komisionit Europian? Shifrat tregojnë se rreth 27% e të anketuarve janë të mendimit se kushtet e jetesës në Shqipëri përbëjnë një shqetësim serioz, përkundrejt 10% të të anketuarve europianëve të cilët cilësojnë se kjo çështje i shqetëson pjesërisht. Nga ana tjetër, rreth 14% e të anketuarve në vend shprehen se kushtet e punës në Shqipëri përbëjnë një problem thelbësor ndërkohë që për vetëm 8% të qytetarëve europianë kjo çështje përbën një sfidë të aktualitetit në të cilin po jetojmë. Problem shtesë për 8% të shqiptarëve përbën emigracioni, përkundrejt 3% të të anketuarve europianë. Nuk mund t`i shpëtonte optikës së problemeve për 6% të të anketuarve kriminaliteti në vend, ndërkohë që në Europë kjo tematikë duket se është menaxhuar, për sakohë që përbën problem për vetëm 4% të të anketuarve. Për ta përfunduar, duket se çështje si sistemi arsimor apo pensionet, taksat apo stehimi përbëjnë pak ose aspak problem për shqiptarët duke zënë një peshë të vogël, përkatësisht me 5% dhe 3% ndaj numrit të të anketuarve gjithsej.
Sa më sipër, dallojmë dy qasje sa të përafërta, po aq sa dhe të ndryshme të të perceptuarit apo të menduarit, mes një qytetari europian dhe një qytetari shqiptar. Padyshim, që për në thuajse çdo vend të botës, inflacioni, shëndeti, financat personale, situata e përgjithshme ekonomike apo kushtet e jetesës përbëjnë probleme madhore dhe tejet serioze. Ama, në ndryshim nga një europian mesatar i cili “bezdiset” edhe për sistemi arsimor, strehimin apo pensionet, mjedisin dhe kushtet klimatike, një shqiptar normal, duket se të mësipërmet nuk e shqetësojnë dhe aq.
Zgjidhni dy problemet më të rëndësishme me të cilat po përballeni në këtë moment?
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments