Publikimi i fundit nga Instituti i Statistikave konfirmon shifrat e publikuara më parë mbi tregtinë e jashtme të cilat sinjalizonin rritje të import-eksporteve rrjedhimisht për shkak të rritjes së çmimeve. Kështu të dhënat mbi statistikat e transportit tregojnë se volumi i mallrave të ngarkuara apo shkarkuara në porte ka rënë gjatë prillit të këtij viti krahasuar me prillin e vitit të kaluar, me 5.7%. Rënie ka pësuar edhe nëse do ta analizonim në terma katërmujorësh me 6.9%. Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë po ashtu ka pësuar rënie përgjatë prillit të vitit 2022 me 28.9%. Por, nga ana tjetër, të njejtin ndryshim nuk ka pësuar volumi i mallrave të transportuara në rrugë ajrore. Volumi i mallrave të transportuara më ajër ka pësuar rritje për muajin prill, krahasuar me prillin e vitit 2021, ndërkohë që ka pësuar rritje edhe nëse do të flisnim në terma katërmujorësh.
Statistikat e transportit të pasagjerëve nga ana tjetër konfirmojnë publikimin e instat mbi lëvizjet e shtetasve për muaji prill. Numri i fluturimeve të kryera është 2.966, duke u rritur me 2,5 herë, në krahasim me muajin prill të vitit 2021. Nëse do ta thellonim analziën duke krahasuar shifrat mbi numrin e fluturimeve në muajin prill për vitet e kaluara, ato tregojnë se numri i fluturimeve ka kaluar nivelet e para pandemisë. Gjatë vitit 2021 regjistrohen 1,204 fluturime, në vitin 2020 regjistrohen 152, ndërsa gjatë vitit 2019-të janë regjsitruar 2,178 fluturime. Po ta krahasojmë këtë tregues me vitin 2019-të shohim se numri i fluturimeve është rritur 36.2% duke tejkaluar kështu pandeminë. Kjo rritje mund të jetë edhe rrjedhojë e funksionimit të një aeroporti tjetër në vendin tonë siç është ai i Kukësit.
Me rritje paraqitet dhe numri i pasagjerëve sipas mënyrës së udhëtimit nëse do ta krahasonim me një vit më parë. Kështu numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është rritur me 77.3% gjatë prillit. Po ashtu, rritje me 4.6 herë ka pësuar edhe numri i pasagjerëve të cilët kanë udhëtuar në linja hekurudhor. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në Prill 2022 është 386.444 pasagjerë, duke u rritur me 3,8 herë, krahasuar me Prill 2021. Të dhënat mbi statistikat e transportit tregojnë për rritje të këtyre treguesve edhe nëse do të flisnim në terma katërmujorësh. Pasagjerët në linja detare përgjatë katër muajve të parë të vitit kanë pësuar rritje me 47.6%, ato në linja hekurudhore me 3.6 herë, ndërsa ato në linja ajrore me 3.3 herë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments