Ekonomi

Çmimet “fryjnë” tregtinë e jashtme me gati 1 mld euro/ Në 4 muajt e parë, 930 mln euro më shumë shkëmbime tregtare, defiçiti prek rekord

0

Rritja e çmimeve në nivel global vijon të “fryjë” shifrat e tregtisë së jashtme. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave për muajin prill të këtij viti tregojnë se eksportet arritën vlerën e 42 miliardë lekëve, në rritje me 46.6% krahasuar me një vit më parë, ndërsa importet arritën në 78 miliardë lekë, në rritje me 23.7% krahasuar me një vit më parë. Por, krahasuar me muajin mars vihet re një rënie e eksporteve dhe e importeve, me 11.9% dhe 6.9% respektivisht. Defiçiti tregtar ndërkohë është rritur me 4.6% në terma vjetorë dhe ulur me 0.3% në terma mujorë, tregojnë shifrat zyrtare.

Përgjatë 4 muajve të parë të vitit ndërkohë, shifrat flasin për 162 mld lekë eksporte, në rritje me 48.8% krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit të kaluar ndërkohë që importet rezultojnë 285 mld lekë, në rritje me 26.7% në terma vjetorë. Defiçiti tregtar për 4-mujorin ndërkohë, fiksohet pranë 123 mld lekëve, në rritje me 6%.

Në total, përgjatë 4 muajve të parë të këtij viti, Shqipëria numëron 447 miliardë lekë shkëmbime tregtare, nga vetëm 334 të 4-mujorit të një viti më parë, pra në rritje me 113 mld lekë, ose rreth 930 milionë euro. Muaji mars dhe muaji prill i këtij viti mbajnë dy rekordet absolute historike sa i përket volumit të shkëmbimeve tregtare në vendin tonë. Për 4-mujorin e parë ndërkohë kemi të bëjmë me një rekord absolut historik.

Ndërkohë, po të shohim kontributin e grupeve kryesore, si në eksport, ashtu edhe në import vëmë re se, ashtu si në muajt paraardhës, rritja e shifrave është udhëhequr kryesisht nga grupet që që kanë regjistruar edhe rritjen më të madhe të çmimeve, si “Minerale, lëndët djegëse, energji” dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”. Rritje të ndjeshme raportojnë edhe “tekstile dhe këpucë”, me mbi 11% në terma vjetorë sa i përket eksporteve. Kjo kategori, të paktën në tregun e brendshëm, referuar çmimeve të konsumit nuk ka regjistruar rritje të çmimeve.

Të dhënat sinjalizojnë gjithashtu se nga rritja e çmimeve kanë përfituar më së shumti produktet e importit. Defiçiti tregtar në 4 muajt e parë të këtij viti, prej 123 mld lekësh, përbën një rekord, të paktën në 4 vitet e fundit, për të njëjtën periudhë kohore.

Edhe shifrat e tregtisë së jashtme sipas vendeve partnere duket të jenë të “deformuara” nga rritja e çmimeve. Sa i përket eksporteve, të dhënat tregojnë se vendet me rritjen më të madhe vjetore të tyre janë: Italia me me 70,1%, Gjermania me 98,2 % dhe Greqia me 42,6%. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova me 12,9 % Spanja 82,0% dhe Zvicra me 20,1 %. Gjatë Prillit 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Prill 2021 janë: Italia me 16,5%, Turqia me 75,2% dhe Greqia me 37,2 %. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kina, SHBA dhe Zvicra.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sekreti financiar, ku renditet Shqipëria? Merr vlerësimin më pozitiv në rajon, së bashku me Serbinë

Postimi mëparshëm

Në Shqipëri martesa mbetet e “shenjtë”/ Divorcet, nën mesataren europiane, raporti shkurorëzim/kurorëzim, ndër më të ultit në Europë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.