“Scan Intelligence Unit” e ka ndalur fokusin e analizës së saj në një tjetër treg, kësaj radhe, të shkëputur nga efektet e pandemisë; tregun e ujit të ambalazhuar. Synimi është të kuptojmë se si performojnë këto kompani në treg, sa i përket xhiros vjetore, por edhe fitimeve neto. Në analizë janë marrë 8 kompani, por duhet theksuar se marka të njohura uji në vend nuk mund të jenë dot pjesë e analizës sonë, pasi janë pjesë e kompanive të mëdha mëmë, dhe nuk rezultojnë me NIPT më vete, siç është rasti i ujit “Glina” apo “Spring”, pjesë e “Agna Group”. Sa i përket ujit “Selita” që operon nën emrin “Blu Imperial”, bilancet janë publike në QKB, por duke qenë se kompania ka nisur punën së fundmi, pas ndryshimit të ortakëve në vitin 2018, shifrat nuk paraqesin aspak panoramën e plotë. Në dokumentat e dorëzuara nga kjo kompani në QKB theksohet fakti se, gjatë 2020-ës, si pasojë e pandemisë, shoqëria ka tregtuar vetëm një produkt të vetëm, ujin 20 litra. Edhe për ujin “FAB” pjesë e grupit “Hysenbelliu”, shifrat nuk janë marrë në analizë pasi janë minimale. Kjo kompani raporton vetëm 1.9 milionë lekë të ardhura vitin e kaluar si dhe 322 mijë lekë fitime.
Të tetë kompanitë e marra në analizë, kanë faturuar shitje në vlerën e 3.7 miliardë lekëve gjatë vitit të kaluar, çka e përkthyer në valutë, fiksohet në rreth 30 milionë euro. Në vend të parë në renditje gjejmë ujin “Lajthiza”, me një xhiro vjetore prej 1.86 miliardë lekësh, ose rreth 15.1 milionë euro. Në vend të dytë ndërkohë ndjek uji “Tepelena”, me 1.14 mld lekë të ardhura vjetore, ose rreth 9.3 milionë euro. Vendin e tretë ndërkohë e zë uji “Qafshtama”, me 532 milionë lekë xhiro vjetore (4.32 milionë euro). Me shifra ndjeshëm më të ulta, me një xhiro vjetore nën 100 milionë lekë ndjekin uji “Akull”, “Alpin”, “Bukaniku”, “Shpati”. Ky i fundit raporton një xhiro vjetore prej 6.2 milionë lekësh vitin e kaluar ( 50 mijë euro), duke u renditur në vend të fundit të listës. Gjatë vitit 2019 ndërkohë, të ardhurat e këtyre 8 kompanive fiksoheshin në të njëjtat niveleve, prej rreth 3.7 miliardë lekësh.
Po fitimet, në cfarë vlerash fiksohen? Të 8-ta kompanitë në total raportojnë fitime neto në shifrat e 411 milionë lekëve, ose rreth 3.4 milionë euro, referuar të dhënave për vitin 2020. Thuajse e njëjtë rezulton shifra edhe për vitin 2019. Por cilat ndër kompanitë kryeson listën sa i përket fitimeve neto? Në vend të parë nuk gjejmë më “Lajthizën”, por “Tepelenën”, me një fitim neto prej 165.8 milionë lekësh, ose rreth 1.35 milionë euro. Në vend të dytë në terma fitimesh neto për vitin 2020 ndjek “Lajthiza”, me 123 milionë lekë, ose rreth 1 milionë euro fitime. Vendin e tretë ndërkohë e mban uji “Qafshtama”, me 114 milionë lekë ( 930 mijë euro ). Pesë kompanitë e tjera në listë ndërkohë raportojnë fitime ndjeshëm më të ulta, për një total prej vetëm 7.4 milionë lekësh, ose rreth 60 mijë euro. Kompania e vetme e cila raporton një bilanc me humbje për vitin 2020 është “Alpin”, me -3.4 milionë lekë. Tre kompanitë e para të listës përfaqësojnë 98.2% të totalit të fitimeve të 8 kompanive, dhe 94.7% të totalit të të ardhurave, çka do të thotë se tregu është i përqëndruar te këto 3 kompani, ndër ato të marra në analizë. Rikujtojmë se si pasojë e përfshirjes nën kompanitë mëmë, ose si pasojë e hyrjes në treg rishtazi, në analizë mungon uji “Spring”, “Glina”, "Selita". Tre kompanitë më të mëdha, xhirojnë kështu shitje neto prej 3.5 miliardë lekësh, ose rreth 29 milionë euro, si dhe 404 milionë lekë fitime neto në vit, ose rreth 3.3 milionë euro.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments