Barometri Ekonomik Scan, veç Indeksit të Besimit Konsumator përfshin edhe një sërë çështjesh të tjera, të cilat lidhen drejtpërdrejtë apo edhe indirekt me konsumin. Një ndër çështjet që lidhet direkt me konsumin është edhe ai i blerjeve të mëdha. Rreth 1 mijë individë janë pyetur në lidhje me blerjet apo investimet e mëdha që ata planifikojnë në 6 muajt e ardhshëm. Në vend të pare, si blerja më e planifikuar për shumicën, duke zënë 18% të totalit, është ajo e mobiljeve dhe pajisjeve të tjera shtëpiake. Në vend të dytë ndërkohë ndjek blerja e një automjeti. 11% e të anketuarve deklarojnë se presin të bëjnë një blerje të tillë në 6 muajt e ardhshëm. Ajo që bie në sy nga barometri është edhe fakti se rreth 6% e të anketuarve planifikojnë të blejnë një shtëpi apo pronë në 6 muajt e ardhshëm, që duket të jetë një normë relativisht e lartë, duke pasur parasysh edhe vlerën nominale të lartë të një blerje të kësaj natyre. Me një normë që varion nga 3% deri në 4% ndërkohë, radhiten investimet financiare, si tituj shtetërorë, fonde private pensioni si dhe instrumenta të tjera investimi financiar.
Klikoni këtu për të parë raportin e plotë
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments