Banka Botërore ka shkurtuar projeksionet e rritjes ekonomike të Shqipërisë këtë vit, me 0.6 pikë përqindje. Në raportin më të fundit për rajonin, ku përfshihet edhe impakti i luftës në Ukrainë, Banka Botërore parashikon që ekonomia shqiptare këtë vit të rritet me një normë prej 3.2%, nga 3.8% që parashikonte në muajin janar të këtij viti. “Në skenarin bazë parashikohet që aktiviteti ekonomik të zgjerohet në nivelet para pandemisë. Pavarësisht kësaj, lufta në Ukrainë mund të nxisë një rritje të mëtejshme të inflacionit, të prishë zinxhiret e furnizimit, tregjet financiare si dhe të minojë besimin në ekonomi. Të gjitha këto mund të zbehin perspektivën e rritjes së Shqipërisë”-thotë Banka Botërore në kapitullin dedikuar Shqipërisë në raportin e sapo publikuar, duke shtuar se: “Një treg pune i dobët, i kombinuar dhe me rënie të fuqisë blerëse mund të dëmtojë uljen e varfërisë”. Sa i përket konsolidimit fiskal, Banka Botërore sqaron se shpenzimet e qeverisë pritet të bien, por duke mbetur nën kërcënimin e kostove shtesë për importin e energjisë.
Ndër të tjera, Banka Botërore projekton një normë inflacioni në vendin tonë gjatë të gjithë këtij viti pranë 5%, si dhe pranë 4% gjatë vitit të ardhshëm. Këto projeksione, që sinjalizojnë se për të paktën dy vite do të vijojë rritja e ndjeshme e çmimeve në vendin tonë, janë në linjë me pritshmëritë më të fundit edhe të Bankës së Shqipërisë. “Rritja e çmimeve të ushqimeve, energjisë, transportit dhe lëndëve të para rrezikon të minojë kërkesën e brendshme dhe të rrisë vulnerabilitetin. Diçka e tillë do të dëmtojë 40%-shin më të varfër të popullsisë, ku konsumi i ushqimit përbën më shumë se gjysmën e shpenzimeve”-nënvizon Banka Botërore.
Sa i përket rritjes ekonomike këtë vit dhe krahasimit me rajonin, sipas Bankës Botërore, Shqipëria është në pozita më të forta vetëm se Bosnje Herzegovina dhe Maqedonia e Veriut. Kosova ndërkohë projektohet si vendi me rritjen më të lartë në rajon këtë vit, prej 3.9%. Kosova gjithashtu evidentohet si një prej vendeve më pak të prekura nga kriza në terma të rritjes ekonomike, pasi projeksionet janë shkurtuar me vetëm 0.2 pikë përqindje. Për Serbinë impakti i luftës projektohet në 1.3% të PBB-së, për Maqedoninë e Veriut në 1%, dhe për Malin e Zi në plot 2%. Bosnje Herzegovina vlerësohet si vendi me impaktin më të ulët, prej vetëm 0.1%. Për të 23 vendet e Europës lindore dhe Azisë qendrore, Banka Botërore ka rishikuar në rënie projeksionet. Për Ukrainën ndërkohë flet për një tkurrje të ekonomisë me 45% këtë vit, për Rusinë me rreth 11% dhe me rreth 6.5% për Bjellorusinë.
Projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë janë shkurtuar edhe për vitin e ardhshëm, me 0.3 pikë përqindje, me ekonominë që pritet të rritet me një hap prej 3.4%.
Banka Botërore ka analizuar gjithashtu impaktin e luftës në të gjitha shtetet sipas sektorëve, ku rezulton se për Shqipërinë impakti më i madh do të jetë në importin e grurit nga Rusi dhe Ukraina si dhe në importin e fertilizuesve.
Klikoni këtu për raportin e plotë
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments