“Scan Intel” vijon analizën në bllok të tregjeve të caktuara, këtë herë, me tre operatorët kyesorë të kinemasë në vend. Sipas të dhënave të grumbulluara nga Qëndra Kombëtare e Biznesit, të ardhurat për “Cineplexx”, “Millennium” dhe “Imperial” arrijnë në 477 mln lekë për 2019-tën, ose 3,9 mln euro, ndërkohë që fitimet neto raportohen në vlerën e 38 milionë lekëve, ose 322 mijë euro, çka përkthehet në 8% fitim mesatar marxhinal të kinemave në Shqipëri. Duke qenë se viti 2020 ka qenë thuajse i “paralizuar” për shkak të masave kufizuese kundër covid-19, për referencë, si vlerë tregu dhe shpenzimesh për kinema nga qytetarët do të marrim vitin përpara pandemisë, atë 2019-të. Kështu, bazuar në totalin e të ardhurave të 3 kinemave që operonin në vend, shpenzimi mesatar për vit/frymë/kinema fiksohet në 166 lekëve përgjatë 2019-ës, 133 lekë për frymë përgjatë 2018-ës dhe 154 lekë për frymë përgjatë 2017-ës.
Sa i përket të ardhurave, “Cineplexx” është operatori me nivelin më të lartë të të ardhurave, ndër tre të tillë të marrë në shqyrtim. Rreth 409 milion lekë rezulton të jetë xhiro vjetore për këtë subjekt për vitin 2019, duke e pozicionuar atë në vend të parë. Kinema Millennium renditet në vend të dytë, të ardhurat e të cilës llogariten në 50 milion lekë, ndjekur nga rrjeti “Imperial” me 17 milionë lekë. Sa i përket të ardhurave përgjatë vitit pandemik 2020, për “Cineplexx” ato janë ulur me përafërsisht 3/4, të ardhurat e “Imperial” janë reduktuar me rreth 460% dhe janë zeruar të ardhurat për kinema “Millennium” krahasuar me vitin 2019. Ndërkohë, aktiviteti i Kinema Imperial, sipas ekstraktit në QKB është pezulluar tërësisht, që prej datës 22 Shkurt të këtij viti.
Sipas të dhënave të grumbulluara për të tre kompanitë e regjistruara pranë Qëndrës Kombëtare të Biznesit, të ardhurat e rrjetit të kinemave arrijnë në 477 mln lekë për 2019 ose 3,9 mln euro ndërkohë që fitimet neto raportohen në vlerën e 38 milionë lekëve, ose 322 mijë euro. Ndërkaq, gjatë viteve 2018, 2017, 2016, 2015, 2014 të ardhurat e industrisë kanë qënë përkatësisht 382 mln lekë, 443 mln lekë, 356 mln lekë, 279 mln lekë dhe 151 mln lekë. Ndërkaq, 5,4 mln rezulton fitimi neto i industrisë për vitin 2018, 8,5 mln lekë për vitin 2017,(30) mln lekë humbje për vitin 2016, (51) mln lekë humbje për 2015 dhe (99) mln lekë humbje për 2014. Duket se ndër vite, të ardhurat për industrinë e kinemasë kanë pësuar luhatje, ndërsa këto subjekte kanë regjistruar fitime të vogla dhe në raste të tjera humbje të vazhdueshme.
Shifrat tregojnë gjithashtu se “Cineplexx” ka depërtuar shpejt në treg, duke lënë pas në renditje dy operatoret e tjerë që zotëronin prej vitesh industrinë e kinemasë. Kështu, ndërkohë që të ardhurat për “Cineplexx” janë rritur me 33%, të ardhurat për dy operatorët e tjerë janë ulur më -6% dhe -44%, referuar viteve 2018-2019, çka ka bërë që “Cineplexx” të zotërojë rreth 86% të këtij tregu në vendin tonë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments