Indikatori i kufizimit material, pjesë e “Barometrit Ekonomik Scan” fiksohet pranë 40 pikëve, bazuar në edicionin e 4-tët të këtij barometri. Një nivel pranë 40 pikëve, do të thotë se 40% e familjeve nuk mund të përballojnë të paktën 4 ndër 9 kategoritë e kufizimit material. Këto kategori kryesisht përfshijnë shërbime dhe produkte bazike dhe janë: mundësia për të bërë pushime një herë në vit, mundësia për të përballuar të paktën një herë në dy ditë një vakt me mish/proteina, për të mbajtur temperaturën e shtëpisë së përshtatshme, për të paguar këstin e kredisë, qiranë e shtëpisë, faturat utilitare, për të përballuar një shpenzim të papritur, për të përballuar një automjet, dhe për të përballuar disa pajisje si televizor/lavatriçe apo aparat celular. Metodologjia e përdorur për këtë tregues është e njëjtë me atë të Eurostat.
Por çfarë tregojnë saktësisht rezultatet? 45% e familjeve shqiptare nuk e përballojnë dot një dietë të rregullt me mish apo proteina të paktën një herë në dy ditë. Rreth 35% e familjeve nuk e mbajnë dot në nivele të përshtatshme temperaturën e ambientit ku jetojnë. Janë më shumë se gjysma e familjeve, rreth 56%, të cilat e kanë të pamundur të përballojnë një shpenzim të papritur dhe të paplanifikuar prej rreth 30 mijë lekësh. Nga ana tjetër, rreth 67% e familjeve deklarojnë se e kanë të pamundur të përballojnë pushime 1 javore të paktën 1 herë në vit.
Sa i përket pagesave dhe faturave, gati gjysma, raportojnë se kanë pasur të paktën një herë problematikë në pagesën e këstit të kredisë apo qiranë e shtëpisë. Në këtë normë përfshihen vetëm ata të cilët kanë kredi shtëpie dhe vetëm ata që kanë qira shtëpie për të paguar. Më saktësisht, me qira janë rreth 26% e familjeve ndërsa rreth 22% kanë kredi hipotekore. Mes tyre, 48% deklarojnë se kanë hasur të paktën një herë gjatë 12 muajve të fundit vështirësi në pagesën e këstit të kredisë, dhe 51% shprehen se kanë pasur problematikë sa i përket qirasë së shtëpisë. Nga ana tjetër, rreth 37% e familjeve deklarojnë se kanë pasur pengesa të paktën një herë në 12 muajt e fundit sa i përket pagesave të faturave utilitare, si ujë apo energji elektrike.
Nga ana tjetër, shifrat që dalin nga “Barometri Ekonomik Scan” tregojnë se të pasurit një automjet në Shqipëri është luks. Janë rreth 38% e familjeve që duket se nuk mund ta përballojnë një makinë. Këtu përfshihen vetëm ata të cilët e kanë si nevojë, por nuk mund ta përballojnë, dhe jo ata që kanë zgjedhur për arsye të ndryshme që nuk e duan apo nuk ju nevojitet makina.
“Barometri Ekonomik Scan” vjen në formën e një ankete gjithëpërirëse në të gjithë Republikën mbi 1 mijë individë.
KLIKONI KETU PER RAPORTIN E PLOTE
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments