Studime

6 marsi, gara e premtimeve “boshe”/ Analiza e 18 kandidatëve, nga premtimet në “ajër”, te ato të munguara

0

Fushata e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit për një sërë arsyesh ka kaluar si në hije. Së pari, për shkak të aktualitetit global, me një konflikt ushtarak në mes të Europës që ka përfshirë këdo. Së dyti, për shkak se bëhet fjalë vetëm për zgjedhje të pjesshme, me cilindo që do të fitojë që do të mund të ketë vetëm një mandat 1 vjeçar, deri në zgjedhjet e radhës vendore në rang republike. Së treti, për shkak të akualitetit politik, me përçarjen e partisë më të madhe të opozitës, gjë që ka bërë që të jetë politika në vetvete në plan të parë dhe jo politikbërja. Pra, retorika e kandidatëve në këto zgjedhje është fokusuar më së shumti te sulmet politike ndaj kundërshtarëve dhe forcave politike që ata përfaqësojnë se sa drejt politikave qeverisëse, edhe pse bëhet fjalë për zgjedhje lokale, ku politikat qeverisëse të një komuniteti duhet të jenë parësore.

“Scan Intelligence Unit” ka bërë një vrojtim të përgjithshëm të kandidatëve të tre fronteve kryesore në këto 6 bashki, pra nga Partia Demokratike, ajo Socialiste, si dhe nga Shtëpia e Lirisë, për një total prej 18 kandidatësh, për të kuptuar se ku fokusohen më së shumti premtimet. Por, fillimisht, në sy bien premtimet “boshe”, pa shifra konkrete, pa politika konkrete. Pjesa dërrmuese e premtimeve duket të jenë në “ajër”, vetëm me fjalë të mëdha, pa përmbajtje, ku flitet për investime në infrastrukturë, pa detaje, për ndalim të betonizimit, pastrim të qytetit, pa plan, për konsultime publike, për të rinjtë, për të moshuarit, për gratë.

Durrësi është ndoshta bashkia më e rëndësishme me një garë të hapur më 6 mars për të zgjedhur kreun e ri. Për Bashkinë e Durrësit gara përcaktohet nga 3 emra: Luan Hoti i Partisë Demokratike, Emiriana Sako e Partisë Socialiste dhe Ardian Muka i Shtëpisë së Lirisë. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike vjen në këtë garë me disa premtime, por disa prej të cilave më konkrete, si: paketë fiskale per biznesin brenda 100 ditëve, dëmshpërblim nga tërmeti brenda 200 diteve, caktimi i administratorëve të pallateve brenda 100 ditëve, urbanizimi përfundimtar i periferisë së qytetit, por edhe me një sërë premtimesh të tjera, që përfshijnë pastrimin, trafikun, moshën e tretë, etj, etj. Kandidatja e Partisë Socialiste ndërkohë, Emiriana Sako, e cila aktualisht është kryetarja e Bashkisë në detyrë, gjatë kësaj fushate është fokusuar më së shumti te ato që ka bërë deri më tani Bashkia Durrës. Sa i përket premtimeve për të ardhmen ajo është ndalur te: mbjellja e 15 mijë pemëve, ndërtimi i shëtitores së re të plazhit, porti tregtar i Porto-Romanos, hapja e plotë e amfiteatrit dhe shndërrimi i qendrës historike, ndërtimi i bibliotekave të vogla, rijetëzimi i monumenteve të kulturës, efiçenca energjetike e pallateve parafabrikat, etj, etj. Ardian Muka i Shtëpisë së Lirisë ndërkohë është ndalur në premtime si: mbrojtja e arkeologjisë, pastrimi i qytetit, sistemimi i parkimit dhe transportit urban, zgjidhja e kanalizimeve dhe ujit të pijshëm, financim i të rinjve për hapjen e biznesve në turizëm, rindërtimi, ndalja e betonizimit, etj, etj.

Shkodra ndërkohë është një tjetër bashki në qendër të vëmendjes këto zgjedhje, me Xhemal Bushatin e Partisë Demokratike, Majlinda Angonin e Partisë Socialiste, Bardh Spahinë e Shtëpisë së Lirisë në garë. Bardh Spahia i Partisë Demokratike premton kryesisht investime, në infrastrukturë, arsim, traditë, siguri, por edhe premtime që kanë të bëjnë më politikën e jashtme, orientimin euroatlantik, demokracinë, unitetin e familjes, të paktën bazuar në programin në webfaqen e tij zyrtare. Për Majlinda Angonin e Patisë Socialiste ndërkohë është shumë e vështirë të gjesh ndonjë premtim konkret, pasi thuajse e gjithë fushata është e bazuar në dy kundërshtarët e saj, por gjithsesi përmend: modernizimin e qytetit, punësimin e të rinjve, strehimin dhe rritjen e mirëqenies së familjeve të varfëra apo uljen e taksave të biznesit. Nga tre kandidatët kryesorë të Shkodrës bie në sy pikërisht mungesa e premtimeve konkrete. Si me Durrësin dhe Shkodrën, e njëjta gjë vlen edhe me kandididatët e Vorës, Dibrës, Lushnjes dhe Rrogozhinës.

Ndikuar edhe nga fakti se bëhet fjalë vetëm për një mandat 1 vjeçar dhe me buxhetin e miratuar tashmë, si dhe këshillat bashkiakë të formuar, në fjalimet apo broshurat e kandidatëve është e pamundur të gjesh shifra. Këto të fundit gjenden vetëm kur bëhet fjalë për realizimin e premtimeve brenda një afati të caktuar, prej 100, 200 apo 300 ditësh. Mes 18 kandidatëve, kemi arritur të identifikojmë fjalën bibliotekë vetëm një herë, fjalën kulturë, biznes, sport 2-3 herë dhe dhjetra e dhjetra herë fjalën investim.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rriten kostot e ndërtimit/ Në T4, 3.1% më të larta, ndikimi kryesor vjen nga rritja e kostove të transportit

Postimi mëparshëm

Rritja e naftës na “fshin” 11.4% të pagës mujore/ Konsumi “përkthehet” në rreth 5200 lekë shtesë në muaj për çdo shofer

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.