“Barometri Ekonomik Scan dhe Indeksi i Besimit Konsumator” për tremujorin e katërt të vitit 2021 fokusohet në një sërë problematikash ku ndër të tjera edhe te kursimet. Anketa tregon se, 55.3% e shqiptarëve e ka të pamundur të kursejë. Krahasuar me tremujorin paraardhës, kjo shifër ka pësuar një rritje të lehtë. Në tremujorin e tretë të vitit, kjo normë fiksohej në 55%, ndërsa në tremujorin e dytë dhe të parë fiksohej në 53% dhe 47%. Nëse do ta analizonim këtë tregues për 12 muajt e ardhshëm , të dhënat tregojnë se është rritur numri i të anketuarve të cilët mendojnë se nuk mund të kursejnë, me 9 pikë përqindje krahasuar me tremujorinn e tretë të vitit 2021. Nga ana tjetër ka rënë pëqindja e të anketuarve të cilët kanë gjasa të kursejnë në 12 muajt e ardhshëm, nga 49% në T3 2021, në 40% në tremujorin e katërt.
Shifrat tregojnë se rreth një në katër të anketuar janë shprehur se aktualisht po ja dalin të kursejnë, 26% e tyre kanë thënë se po kursejnë, megjithatë, krahasuar me tremujorët pararendës, ky tregues shihet të ketë pësuar rënie. Janë 19% e të anketuarve të cilët kanë thënë se po shfrytëzojnë kursimet e mëparshme ose janë në situatën që po marrin borxh ose kredi. Kjo situatë duket se vjen kryesisht nga inflacioni i çmimeve, çka ka bërë të mundur që kursimet e shqiptarëve të pësojnë tkurrje, por gjithashtu ka dekurajuar dhe pritshëmritë e tyre për të kursyer në 12 muajt e ardhshëm. Mes të tjerave, Barometri Ekonomik, tregon se të anketuarit kanë vlerësuar me më shumë pikë si problemin kryesor të tyre rritjen e çmimeve.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments