Ekonomi

Si i shpenzojnë familjet shqiptare lekët? Për qejf dhe për “vese” 300 mln euro më shumë në vit se arsim dhe shëndet

0

Një familje shqiptare shpenzon mesatarisht në një vit rreth 1 milionë lekë, ndërsa të gjitha familjet shqiptare shpenzojnë rreth 816 miliardë lek, çka përkthehet në rreth 6.6 miliardë euro. Por, si ndahen këto shpenzime? “Scan Intelligence Unit” ka analizuar dhe përpunuar të dhënat e “Institutit të Statistikave” nga Anketa e Buxhetit të Familjes për vitin 2019. Sipas INSTAT, në Shqipëri janë rreth 771.600 familje, me një përbërje mesatare prej 3.7 personash.
Nga këto të dhëna rezulton se për vitin 2019, familjet shqiptarët kanë shpenzuar 314 mld lekë vetëm për grupin e konsumit “Ushqim dhe pije jo-alkoolike”, ose thënë ndryshe rreth 2.6 mld euro. Ky zë, pra ushqimet dhe pijet joalkoolike rezultojnë të jenë shpenzimi më I madh I familjeve shqiptare, si në përqindje, ashtu edhe në vlerë monetare. Në renditje ndjek grupimi I shpenzimeve për banesën, me rreth 76 mld lekë, ose 623 mln euro. Kjo kategori përfshin qiranë e shtëpisë, në rast se ka, si dhe faturat e ndryshme, si ujë apo drita.
Për grupin e konsumit “Veshje dhe Këpucë”, familjet shqiptare kanë shpenzuar 39 mld lekë, që të përkthyera në euro rezultojnë 322 milionë. Rreth 28.4 mld lekë ndërkohë, ose 231 milionë euro janë shpenzimet vjetore të familjeve shqiptare për atë kategori që përfshin ato që mund të konsiderohen edhe si “vese”, pra “pije alkoolike dhe duhan”. Madje, kjo shumë është edhe më e madhe se shpenzimet mesatare vjetore të një familje për arsim, që fiksohen në rreth 190 milionë euro. Pra, shqiptarët shpenzojnë për dy vese të vetme, pije alkoolike dhe duhan, rreth 40 milionë euro në vit më shumë se për arsimim. Ndërkohë po të grupojmë dy kategori “qejfi” atë të shpenzimeve për “restorante dhe hotele” si dhe atë të “argëtim dhe kulturë”, familjet shqiptare shpenzojnë rreth 535 mln euro në vit, ose rreth 345 mln euro më shumë se arsimi. Ky shpenzim është më I lartë se ato për arsim dhe shëndet të marra së bashku, sinjalizojnë shifrat nga Anketa e Buxhetit të Familjes.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pensionet vullnetare zgjerohen edhe në pandemi. Anëtarët rriten me 9.7%, asetet me 23%, me hap më të ngadaltë se vitet paraardhëse

Postimi mëparshëm

Si ka ndikuar pandemia në tregun e punës? Papunësia rritet me 0.6%, paga mesatare bruto shkon në 54.951 lekë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.