Studime

Sa shpenzojë shqiptarët për ndërhyrje estetike? Të paktën 3.1 mln euro në vit, sipas analizës së 5 prej klinikave më të mëdha në vend

0

Viti 2020 nuk ishte një vit i lehtë për shumë sektorë të ekonomisë dhe këtë e tregon seria e analizave të “Scan Intelligence Unit” mbi sektorë dhe tregje të ndryshme në Shqipëri. Këtë herë, “Scan Intelligence Unit”, ka përpunuar të dhënat e “Qendrës Kombëtare të Biznesit” mbi klinikat e kirurgjisë plastike dhe estetike. Në analizë janë marrë pesë ndër klinikat më të mëdha dhe ndër më të njohurat në Tiranë, por sigurisht dhe ato klinika të cilat kanë të dhëna të rregullta në “QKB”. Përpos analizës mbi ndikimin e pandemisë, qëllimi kryesor i “SIU” është të paraqesë se sa shpenzojnë shqiptarët në operacione plastike dhe cila nga klinikat gjeneron më shumë të ardhura përmes të dhënave të vitit 2019. Theksojmë se është marrë në analizë viti 2019, për të analizuar sa më qartë dhe saktë të dhënat, duke qenë se është periudhë që nuk është prekur nga kriza të ngjashme si ajo të vitit 2020. Klinikat e marra në analizë janë klinika “KEIT”, “Da VINCI”, “Luis Medical Center”, “ENT Clinic” dhe “Dermo Life”.

Siç e paraqet dhe grafiku i mëposhtëm, i krijuar nga “Scan Intelligence Unit”, totali i të ardhurave për të pesta klinikat, për vitin 2019, arrin në 376.4 mln lekë ose e thënë në euro këto të ardhura llogariten në 3.1 mln euro. Nisur nga këto të dhëna, dalim në përfundimin se kjo është shifra minimale që shpenzojnë shqiptarët përafërisht në kirurgji plastike dhe trajtime estetike në një vit. Klinika “KEIT” është klinika e cila gjeneron të ardhurat më të larta për vitin 2019, nga të gjitha klinikat e tjera. Vlera e të ardhurave të saj arrin në 186 mln lekë ose 1.5 mln euro. E dyta me të ardhurat më të mëdha është klinika “Da VINCI”, me një shifër për vitin 2019 deri në 65.7 mln lekë. Nga pesë klinikat e marra në studim, për vitin 2019, klinika “Dermo Life” regjistron të ardhurat më të ulta se të tjerat me 23.2 mln lekë.

Nga ana tjetër, nëse do të llogaritim fitimet e klinikave të lartpërmendura për vitin 2019, shohim se përsëri është klinika “KEIT” ajo që gjeneron më shumë fitime për vitin 2019, me gati 37.1 mln lekë ose 305 mijë euro. Klinika e dytë me fitimet më të larta është “Luis Medical Center” me 23.2 mln lekë, e ndjekur nga ETN Clinic”, “Dermo Life”, për të ardhur në vend të fundit ku renditet klinika “Da VINCI” me nivel fitimesh deri në 4.9 mln lekë.

“Scan Intelligence Unit” gjithashtu ka bërë një krahasim të të ardhurave dhe fitimit të këtyre klinikave të vitit 2020 me vitin 2019. Nga pesë klinikat e analizuara, vetëm tre prej tyre kanë paraqitur bilancin vjetor për vitin 2020. Klinika “KEIT” dhe “Demo Life” nuk e kanë paraqitur akoma pasqyrën e tyre financiare për vitin 2020 pranë "Qendrës Kombëtare të Biznesit". Për tre klinikat të cilat kanë të dhëna, viti 2020 ka ndikuar në të ardhurat e tyre negativisht, përveç “ENT Clinic”, e cila gjatë vitit të pandemisë i ka rritur të ardhurat me 50.1% , krahasuar me vitin 2019. “Luis Medical Center” ka patur rënie të të ardhurave me 44.1%, ndërsa klinika “Da VINCI” ka shënuar 47.6% rënie të të ardhurave.

Nga të dhënat mbi fitimet për vitin 2020 të këtyre tre klinikave, “ENT Clinic” regjistron fitimet më të larta dhe krahsuar me 2019-ën ka rritje të fitimit me 84.3%. “Da VINCI” regjistron humbje për vitin 2020 dhe kahasuar me një vit para pandemisë ka dhe rënien më të madhe më 174.6%. Po ashtu dhe “Luis Medical Centre” ka pësuar rënie të fitimit megjithëse nuk ka dalë me humbje. Kjo rënie në nivelin e fitimit për këtë klinikë regjistrohet në 92.3%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Remitancat ulin ritmin në T2, – 171 mln euro, mbi nivelet e 2020-ës, por larg niveleve të 2019-ës

Postimi mëparshëm

Ku qëndron Gjermania me investime në Shqipëri? E 11-ta në listë, vetëm 63% rritje që nga 2014, dy herë më pak se mesatarja

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.