Raporte

Korrupsioni, ndëshkueshmëria në 19%/ Vetëm 100 raste të regjistruara në 2021-shin. Për shpërdorimin e detyrës, ndëshkueshmëria zbret në 10%

0

Prokuroria e Përgjithshme ka bërë publik raportin mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2021, i cili ka në fokus drejtimet prioritare, treguesit e kriminalitetit, aktivitetet si dhe rekomandimet. “Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat e këtij raporti duke u përqënduar kryesisht në analizën e veprave penale për vitin 2021. Analiza përfshin numrin e proceduarave gjithsej sipas llojit të veprës penale si dhe normën e ndëshkueshmërisë, pra sa të dënuar janë për secilën vepër bazuar në totalin e rasteve. Të dhënat tregojnë se ka një normë të ulët të ndëshkueshmërisë për disa vepra penale të cilat konsiderohen si problem për shoqërinë shqiptare. Për veprën penale të korrupsionit norma e ndëshkueshmërisë është 19%, pra nga 100 raste të regjistruara gjithsej, vetëm 19 prej tyre janë dënuar. Nga ana tjetër, për veprën penale “Shpërdorim detyre” po ashtu regjistrohet një normë e ulët ndëshkueshmërie, prej vetëm 10.4%, nga 594 raste gjithsej, vetëm 62 të dënuar. “Pastrimi i parave” e ka patur normën e ndëshkueshmërisë për vitin 2021 në 7%. Nga 301 raste të regjistruara gjithsej janë dënuar 21 persona. Po të shohim normën e ndëshkueshmirëisë për vepra të tjera penale, si ato me taksat dhe tatimet apo prodhimi dhe kultivimi i narkotikëve, norma e ndëshkueshmërisë ngjitet mbi 30%, ndërkohë që për vepra të tjera kundër rendit dhe sigurisë publike, norma e kalon nivelin e 50%. Dënimet jo domosdoshmërisht i referohen procedimit të regjistruar në të njëjtin vit, por shërbejnë si referencë për të kuptuar nivelin e ndëshkueshmërisë.

Shifrat tregojnë se numri më i lartë i rasteve gjithsej është regjistruar për veprën penale “Vjedhja e Pasurisë”. Gjatë vitit 2021, janë regjsitruar 7,729 raste gjithsej për këtë vepër penale. Megjithëse krahasuar me vitin 2020 kjo shifër ka pësuar rënie, përsëri mbetet në një nivel të lartë krahasuar me veprat e tjera që pasojnë. “Vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike”, vijon në renditje si vepra e dytë me numrin më të lartë të rasteve gjithsej. Gjatë vitit 2021 janë regjistruar 5,730 raste për këtë vepër penale. “Prodhimi dhe kultivimi i narkotikëve” zë vendin e tretë me numrin më të lartë, duke regjsitruar 2,008 raste. Siç dihet problemet me pronat dhe veprat penale kundër tyre, kanë vijuar për vite me radhë të jenë prezente në shoqërinë shqiptare duke mbushur gjykatat. Shifrat e raportit bëjnë me dije se për llojin e veprës penale “Regjistrim juridik i tokës” regjistrohen 1,957 raste gjithsej, duke e renditur atë të katërtën si veprën me më shumë raste gjatë vitit 2021. Veprat penale në fushën e falimentimit nuk kanë regjistruar asnjë rast përgjatë vitit 2021. Nga ana tjetër,  po ashtu veprat me më pak raste janë “Veprat penale kundër lirisë së besimit”, “Krime kundër rendit kushtetues” si dhe “Krime kundër jetës shkaktuar me pakujdesi”.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Banka Botërore “zhvlerëson” Shqipërinë/ Impakti i luftës, rritja ekonomike ulet me 0.6 pikë, por mund të përkeqësohet edhe më tej

Postimi mëparshëm

Rritet pasuria e shqiptarëve, por edhe pabarazia/ 1 në 24 shqiptarë ka më shumë para në bankë se 23 të tjerët së bashku

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.