Ekonomi

“Zayed” mund “Nënë Terezën”! Çmimet e biletave, nga 2 deri në 6 herë më të lira, për të njëjtat destinacione

0

Aeroporti i Kukësit, “Zayed, Flatrat e Veriut” fillon këtë të premte fluturimet ndërkombëtare, me linjën Zurich-Kukës. Një ndër arsyet kryesore të pritshmërive të larta për këtë aeroport të ri është pikërisht edhe çështja e tarifave që ofron. “Scan Intelligence Unit” është ndalur pikërisht te kjo çështje për të bërë një krahasim mes Aeroportit të Kukësit, “Zayed”, dhe atij të Tiranës, “Nënë Tereza”, për të njëjtat destinacione, në të njëjtat data, dhe për të kuptuar se sa ndryshojnë realisht çmimet. Më datë 15 korrik, një rrugë vetëm vajtje, Kukës-Stamboll nëpërmjet “Air Albania”, kushton vetëm 2667 lekë, ndërsa i njëjti destinacion, vetëm një ditë më herët, nga Tirana, më 14 korrik, kushton plot 18161 lekë. Pra, diferenca është e ndjeshme, deri në 580%. Pra, në këtë rast, aeroporti i Kukësit, për të njëjtën linjë ajrore është gati 6 herë më i lirë se ai “Nënë Tereza”. Po të shohim një tjetër datë, në fund të muajit korrik apo në fillim të gushtit, vëmë re se çmimi i një bilete nga Kukësi në Stamboll kushton 5400 lekë nëpërmjet “Air Albania”, ndërsa nga Tirana në Stamboll nëpërmjet së njëjtës linjë ajrore, kushton 12 mijë lekë, pra më shumë se dy herë më i shtrenjtë.

Le të shohim diferencat për një tjetër itinerar, atë drejt Zyrihut, më datë 14 korrik, dhe nëpërmjet tre linjave të ndryshme ajrore; Alitalia, Pegasus dhe Helvetica, që operon nga Kukësi. Një biletë nga Kukësi më datë 14 korrik me destinacion Zyrihun kushton 49 franga zviceriane, ose 45 euro. Nga Tirana në Zyrih nëpërmjet një tjetër linje ajrore, “Pegasus”, fluturimi në të njëjtën datë kushton 72 pound britanik, ose 83 euro, por me fluturimin që zgjat rreth 6 orë, bashkë me ndalesën tranzit në Stamboll. Nëpërmjet Alitalia-s ndërkohë, Tiranë-Zyrih më datë 14 korrik kushton 170 euro, sërish me ndalesë, kësaj radhe në Romë, dhe me udhëtimin që zgjat më shumë se 3 orë. Mesatarisht, i njëjti destinacion, ai i Zyrihut, nga Kukësi është 180% më i lirë se nga Tirana.

Pra, shifrat flasin qartë, diferenca mes dy aeroporteve, në terma çmimesh është e ndjeshme, me Aeroportin e Kukësit që është të paktën dy herë më i lirë se ai i Tiranës, e deri në 6 herë më i lirë. Duke pasur parasysh edhe distancën relativisht të afërt mes Tiranës dhe Kukësit, aeroporti “Zayed, Flatrat e veriut”, duket se do e konkurrojë denjësisht aeroportin më të madh në vend, atë të kryeqytetit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kreditë me probleme, në rënie edhe në Maj. – Pranë 7.8%, niveli më i ulët që prej marsit 2009

Postimi mëparshëm

Pandemia goditi më shumë burrat sesa gratë, vdekshmëria thuajse dy herë më e lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.