Turizmi e ka nisur me rritje vitin 2022 tregojnë të dhënat më të fundit nga “Instituti i Statistikave”. Shifrat sinjalizojnë se gjatë muajit janar të këtij viti ka një rritje si të numrit të vizitorëve, po ashtu dhe të numrit të netëqëndrimeve. Numri i vizitorëve gjithsej në territorin e Shqipërisë është rritur me 50.7%, në krahasim më muajin janar të vitit 2021. Të njejtin ndryshim ka pësuar numri i vizitorëve vendas, por edhe numri i vizitorëve të huaj, nga ku numri i vizitorëve vendas është rritur me 60.35%, ndërsa numri i vizitorëve të huaj është rrtiur me 35.2%. Gjatë muajit janar të këtij viti numri i vizitorëve vendas regjistrohet në 39,351, ndërsa ai i vizitorëve jo rezidentë regjistrohet në 20,618 vizitorë. Pasojat e pandemsië vijojnë akoma të jenë të dukshme sa i përket vizitorëve të huaj pasi numri i tyre për janarin e vitit 2022, nuk kanë mundur dot të tejkalojnë numrin e vizitorëve në janarin e vitit 2020, periudhë kur akoma nuk ishte e përhapur pandemia.
Nga ana tjetër, numri i netëqëndrimeve gjithashtu ka pësuar rritje gjatë janarit të vitit 2022 me 2 herë, nga ku numri i netëqëndrimeve nga vizitorë vendas është rritur me 87.6%, ndërsa numri i netëqëndrimeve nga vizitorët e huaj është rritur me 2.2 herë. Të dhënat tregojnë se vizitorët vendas kanë kaluar më shumë netë qëndrimi në strukturat akomoduese sesa vizitorët e huaj. Numri i netëqëndrimeve nga vizitorët e huaj ka mundur të tejkalojë jo vetëm shifrat e janarit të vitit 2021, por edhe shifrat e janarit të vitit 2020.
Nëse do t`i analizonim këta dy tregues sipas rajonit, shifrat tregojnë se numri i vizitorëve vendas të cilët janë akomoduar në rajonin qendër ka shënuar rritjen më të lartë prej 2,2 herë. Nga ana tjetër, numri i netë qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në rajonin e veriut ka shënuar rritjen më të lartë me 2,6 herë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments