Ekonomi

Tregtia e jashtme, si ka ndryshuar me krizën? Importet, Turqia i “rrëmben” vendin e parë Italisë, Kina, “rrokadë” me SHBA

0

Me pandeminë, por akoma më shumë, me krizën e çmimeve që ka goditur të gjithë globin këtë vit, tregtia e jashtme padiskutim që është ridimensionuar disi. “Scan Intel” ka marrë në analizë shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave për 6 muajt e parë të këtij viti, për të kuptuar se si ka ndryshuar gjeografia e importeve të Shqipërisë. Duke qenë se rritja e çmimeve ka fryrë dhe deformuar ndjeshëm shifrat në vlerë, këtë analizë do ta bëjmë në volum, pra në peshë, për t`i dhënë një qasje sa më realiste të dhënave.

Kështu, nga kjo analizë e thelluar e shifrave, rezulton se në 6 muajt e parë të këtij viti, Turqia është partneri kryesor tregtar I Shqipërisë sa I përket importeve. Një vit më parë, për të njëjtën periudhë kohore, këtë pozicion e mbante Italia. Turqia jo vetëm që I ka rrëmbyer vendin e parë Italisë, por është rritur edhe vetë ndjeshëm. Një vit më parë, Shqipëria importonte nga Turqia rreth 12% të totalit në volum. Në 6 muajt e parë të këtij viti, kjo normë është 19.44%, sinjalizojnë shifrat zyrtare, të përpunuara nga “Scan Intel”. Pra, thuajse 1 në 5 importe të vendit tonë vjen nga Turqia. Italia që ka zbritur në vend të dytë, ndërkohë ka ulur ndjeshëm peshën e saj ndaj totalit të importeve për 6 muajt e parë të vitit, nga 16.6% në 6 muajt e parë të vitit të kaluar, në vetëm 12.6% këtë vit. Në vend të tretë të renditjes nuk ka ndryshime, dhe vijon të mbetet Greqia, paçka se me një peshë të ulur, nga rreth 12% të totalit një vit më parë, në rreth 9% këtë vit. Në vend të 4-tët kemi të renditur Arabinë Saudite, me rreth 6.2% të totalit. Ky shtet një vit më parë nuk figuronte aspak në listën e 10 vendeve kryesore importuese të Shqipërisë, dhe është “shfaqur” në skenë gjatë muajve të fundit, me hidrokarburet si produktin kryesor të mallrave të dërguara në Shqipëri. Një vit më parë, në vend të 4-tët renditej Rusia, por që ka zbritur në vend të 8-të në këtë vit. Importet nga Rusia ranë ndjeshëm në muajin prill, por që prej atëherë janë rimëkëmbur me hapa të shpejtë, duke i`u afruar madje edhe niveleve të para luftës. Rusia një vit më parë përbënte rreth 5.8% të totalit të importeve në vendin tonë, ndërsa këtë vit kjo normë ka zbritur pranë 2.9%.

Vendi I 5-të mbetet I pandryshuar, me Serbinë që përfaqëson 5.3% të totalit të importeve të Shqipërisë në volum në 6 muajt e parë të viti. Një vit më parë, për Serbinë kjo shifër ishte në nivele të ngjashme, prej 5.8%. Ndjek Maqedonia e Veriut në vend të 6-të, ashtu si një vit më parë, me 4.6% të totalit. Kosova vijon renditjen, duke u pozicionuar më dobët se Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kosova përfaqëson vetëm 3.7% të importeve të Shqipërisë. Renditja vijon me Rusinë e vendit të 8-të dhe me Gjermaninë e vendin të 9-të. Kjo e fundit përfaqëson 2.55% të importeve të Shqipërisë në volum këtë vit, nga 2.4% që ishte kjo normë një vit më parë. Në vend të fundit të renditjes së 10 vendeve më të mëdha importuese me Shqipërinë kemi një rrokadë superfuqish, ku Kina I ka zënë vendin Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto të fundit kanë zbritur në vend të 15-të këtë vit, nga vendi I 10-të I një viti më parë, ndërkohë që Kina është ngjitur në “Top 10”-tëshe, nga vendi I 11-të I një viti më parë. Kina përfaqëson rreth 2.3% të totalit të importeve të Shqipërisë në volum në 6 muajt e parë të këtij viti.

Pra, ashtu siç e tregojnë edhe shifrat, gjeografia e partnerëve tanë tregtarë në importe ka ndryshuar jo pak këtë vit me krizën e çmimeve, pasi shifrat tregojnë se Shqipëria ka kthyer sytë më shumë drejt vendeve si Turqia, Arabia Saudite apo deri diku edhe Kina, ndërkohë që kanë number ndjeshëm peshë vende si Italia apo edhe Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, shqetësuese mbetet renditja e Kosovës, pas Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në rajon. Volumi I mallrave që Shqipëria importon nga Kosova është më I ulët se në secilin prej këtyre dy shteteve të rajonit, por ndërkohë që Serbia ka specifika të tjera tregtare, sidomos sa I përket drithërave apo edhe disa produkteve të tjera bazë, pozicionimi i Maqedonisë së Veriut bën që të jemi më pak indiferent ndaj shifrave.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Cilat qytete janë “pasuruar” më shumë? Në Tiranë depozitat janë rritur me 166% prej 2007-ës, në Fier vetëm 60%

Postimi mëparshëm

“Tiranasit” zhvendosen drejt periferisë/ Shifrat, braktiset “Kombinati”, “Selvia”, “Lapraka”, urbanizohet “Kashari”, “Farka”, “Dajti”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.