Ekonomi

Tregtia e jashtme rritet në vlerë, por bie në peshë/ Eksport & Import në Qershor, 210 milionë euro më shumë se vjet, por 133 mijë ton më pak mallra

0

Rritja e çmimeve vijon të ketë ndikim të theksuar në shifrat e tregtisë së jashtme. Sipas Institutit të Statistikave, eksportet gjatë qershorit të këtij viti fiksohen pranë 46 miliardë lekëve, në rritje me 32.2% krahasuar me qershorin e një viti më parë, dhe gjithashtu në rritje krahasuar me muajin maj, me 2.5%. Sa I përket importeve ndërkohë, rezultojnë pranë 81 miliardë lekëve gjatë qershorit, në rritje me 20.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, gjithashtu në rritje edhe në terma mujorë, me 1.9%. Por, shifrat tregonë një anë tërësisht tjetër të medaljes. “Scan Intel” I ka analizuar shifrat edhe në peshë, duke qenë se të shprehura në vlerë janë të ndikuara drejtpërdrejtë nga rritja e çmimeve, dhe nuk e pasqyrojnë situatën reale, pra nëse në volum është rritur apo jo tregtia e jashtme.

Kështu, nga kjo analizë të dhënash rezulton se, ndërkohë që eksportet gjatë qershorit janë rritur në vlerë me 32.2%, në peshë kanë rënë ndjeshëm, me plot 12.1%. E njëjta gjë vlen edhe për importet, të cilat në vlerë rezultojnë të jenë rritur me 20.8%, ndërkohë që në peshë kanë rënë me 16.8%. Në peshë, importet gjatë qershorit të këtij viti, në terma sezonalë, regjistrojnë nivelin më të ulët që prej qershorit të vitit 2018. Sa I përket eksporteve ndërkohë, regjistrohet niveli më I ulët që prej qershorit të vitit 2020, viti I pandemisë. Në total, tregtia e jashtme në qershor të këtij viti, pra import plus eksport vlen 25 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, ose rreth 211 milionë euro më shumë, ndërkohë që në peshë, në total janë importuar dhe eksportuar rreth 133 mijë tonë më pak se një vit më parë.

Për t`u rikthyer te analiza në vlerë e tregtisë së jashtme, shifrat tregojnë se, në rritje vjetore të eksporteve me 32% kontributin më të madh e kanë dhënë grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 11,0 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me 6,9 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 4,2 pikë përqindje. Sa I përket importeve ndërkohë, kontributin më të madh e kanë dhënë grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 10,8 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me 3,3 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 1,5 pikë përqindje.

Italia, me 31,9 %, Greqia me 76,5 % dhe Spanja me 54,3 % janë vendet me të cilat Shqipëria regjistron rritjen më të madhe vjetore të eksporteve në vlerë. Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet me rënien më të madhe të eksporteve gjatë qershorit, krahasuar me qershorin e një viti më parë. Ndërkaq, importet janë rritur më shumë nga Greqia, me 15.6%, Italia me 12.6% dhe Kina me 5.9%, ndërkohë që janë ulur ndjeshëm nga Turqia dhe Gjermania, me 3.8% dhe 9.8%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Siguria Kibernetike Kombëtare, Shqipëria në fund të Europës/ Jemi ndër 4 vendet me performancën më të dobët sa i përket sigurisë së qeverisjes elektronike

Postimi mëparshëm

Sa zgjat anëtarësimi në BE? Mesatarisht 5 vite nga hapja e negociatave, por i tejzgjatur për disa vende të lindjes

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.