Ekonomi

Transporti tejkalon krizën në Janar/ Pasagjerët u dyfishuan, por transporti i mallrave ngre pikëpyetje për tregtinë e jashtme

0

Të dhënat e INSTAT përmes publikimit “Statistikat e Transportit”, tregojnë se në Janar të këtij viti numri i fluturimeve të kryera ka qenë 2,242, duke u rritur me 2.2 herë, në krahasim me Janarin e vitit 2021. Po ashtu, ky tregues ka pësuar rritje duke tejkaluar edhe Janarin e vitit 2020, me 8.3% fluturime më shumë dhe Janarin e vitit 2021, me 13.4% fluturime më shumë. Nga kjo panoramë e përgjithshme shohim se fluturimet janë rimëkëmbur nga pandemia dhe rikujtojmë këtu se të dhënat e Janarit të vitit 2021 për këtë tregues nuk i tejkaluan dot shifrat e vitit 2020 dhe as ato të vitit 2019-të.

Sa i përket transportit të pasagjerëve, sipas të dhënave, numri i tyre paraqitet me rritje, krahasuar me Janarin e vitit 2021-të, si në rrugë detare e ajrore, po ashtu dhe në rrugë hekurudhore. Krahasuar me vitin 2021, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linjë ajrore është rritur, me 2.9 herë, duke arritur në 251,243 pasagjerë. Nga ana tjetër numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar në linjë detare është rritur me 46.8%, në 53,187 pasagjerë. Rritje me 81.4% ka pësuar dhe numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me hekurudhë, nga 345 pasagjerë në Janarin e vitit 2021, në 626 pasagjerë në Janarin e vitit 2022. Po si paraqiten shifrat krahasuar me Janarin e vitit 2020, pra para pandemisë? Janari i këtij viti e ka tejkaluar Janarin e vitit 2020, sa i përket numrit të pasagjerëve që kanë udhëtuar në linja ajrore, por nuk ka mundur dot të tejkalojë numrin e pasagjerëve që kanë udhëtuar në linja detare.

Gjatë Janarit të vitit 2022, duket se shifrat e transportit nuk kanë pësuar rritje në të gjithë treguesit e tij. Nëse do të flinim për volumin e mallrave të ngarkuara apo shkarkuara në porte, në muajin Janar 2022 është 287,2 mijë ton, duke u ulur me 21,5 %, krahasuar me Janar 2021. Rënie kanë pësuar dhe mallrat e transportuara me hekurudhë me 35,4 %, krahasuar me Janar 2021. Të njejtin ndryshim nuk e kanë pësuar mallrat e transportuara me ajër. Gjatë Janarit të vitit 2022 volumi i tyre është 159,5 ton, duke u rritur 7,2 % në krahasim me Janar 2021. Shifrat e tregtisë së jashtme për janarin të publikuara disa ditë më parë tregonin një rritje të ndjeshme të shkëmbimeve tregtare, që siç duket edhe nga shifrat e transportit, ka qenë rrjedhojë dreikte e inflacionit.

Le të shohim se si paraqiten shifrat e eksporteve dhe importeve të mallrave sipas mënyrës së transportit. Në Janar 2022, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 90,0 mld lekë dhe 51,4% e tyre u transportua me det. Gjatë po të njejtës periudhë mallrat e eksportuara me det zënë 53,0%, me rrugë 32,5% dhe me ajër 0,2%. Mallrat e eksportuara nëpërmjet rrugës, në Janar 2022, janë rritur me 44,3%, krahasuar me Janarin e vitit që lam pas. Nëse do shihnim importin e mallrave sipas mënyrës së trasportit, shifrat tregojnë se në Janar 2022 mallrat e importuara me det zënë 50,4%, me rrugë 41,5% dhe me ajër 2,9%. Mallrat e importuara me rrugë në Janar 2022 janë rritur me 20,8 %, krahasuar me Janar 2021.

 

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ulen lejet e ndërtimit në T4 2021/ 19.4% më pak se në tremujorin e tretë. Lezha me rënien më të madhe, Vlora me 380% rritje

Postimi mëparshëm

Kreditimi me rekord edhe në janar/ Shifra më e lartë në 7 vitet e fundit, 158 mln euro hua e re

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.