Pandemia e ka shtrirë ndikimin e saj në shumë aktivitete dhe biznese që operojnë në vendin tonë, por pavarësisht kësaj, të dhënat e Bashkisë së Tiranës sa i përket numrit total të bizneseve duket se janë pozitive edhe për vitin 2021. Gjatë vitit 2020, subjeketet kryesore në Tiranë kishin shënuar rritje, me 5% . Nga të dhënat e analizuara nga “Scan Intelligence Unit”, për vitin 2021, shohim se numri i subjekteve gjithsej është rritur me 3.9% krahasuar me vitin 2020. Numri i subjekteve të reja në njësitë administrative urbane, pra 11 lagjet e vjetra të Tiranës, po ashtu, ka pësuar rritje për vitin 2021, ku kjo rrijte regjistrohet në 3.5%. Le të shohim se cila nga njësitë e reja ka normën më të lartë të rritjes së subjekteve. Siç tregohet dhe në paraqitjen grafike, është njësia e “Farkës”, e cila regjistron rritjen më të lartë të bizneseve të reja gjatë vitit 2021, me 14.4%. E dyta në renditje, e cila regjistron rrijen më të lartë nga njësitë e reja është njësia “Shëngjergj”, me 12%. Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se për disa njësi shifrat nuk janë dhe aq pozitive. Janë pesë njësi të reja administrative në të cilat numri i subjekteve ka pësuar ulje. Në njësinë “Krrabë” rënia e subjekteve për vitin 2021, krahasuar me vitin 2020, regjistrohet në 3.8%. Kjo është edhe njësia me rënien më të ndjeshme. Njësia “Zall-Herr” është njësia e dytë që ndjek, me një rënie deri në 1.9%.
“Scan Intelligence Unit” po ashtu ka analizuar të dhënat sa i përket subjekteve sekondare për secilën njësi administrative. Edhe subjektet sekondare, sikurse ato kryesore, paraqiten me rritje për vitin 2021. Rritja për subjektet sekondare gjithsej, krahasuar me vitin 2020, regjistrohet në 1%. Në njësitë administrative urbane kjo rritje prek nivelin e 1.2%. Nëse do ta kalojmë fokusin e analizës në njësitë e reja administrative, njësia me rritjen më të madhe është njësia “Krrabë”, me 40%, ndjekur nga njësia “Petrelë”, me 22.5%. Nga ana tjetër, njësi si "Shëngjergj", “Zall-Bastar”, “Pezë”, “Kashar”, dhe “Vaqarr”, kanë pësuar rënie te numrit të subjekteve sekondare.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments