Publikimi më i fundit i Institutit të Statistikave në lidhje me Prodhimin e Brendshëm Bruto rajonal gjatë 2020-ës na jep një panoramë më të qartë se si ka ndryshuar pesha e secilit qark në ekonominë e vendit gjatë vitit 2020, që për më tepër përkon me vitin e pandemisë. Nga analiza e të dhënave shohim se qarku që ka rritur më shumë peshën e saj është ai i Tiranës, me 0.23 pikë përqindje. Tirana në 2019-ën përfaqësonte 42.75% të ekonomisë së vendit, ndërkohë që në 2020-ën kjo normë është ngjitur në 42.98%. Gjithashtu, qarku i Elbasanit ka rritur ndjeshëm peshën e tij në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, me 0.22 pikë përqindje, dhe duke u ngjitur në 6.83%, nga 6.61% që ishte kjo peshë gjatë vitit 2019. Vlora ndërkohë është qarku i tretë në renditje që ka pësuar rritjen më të madhe të peshës në ekonomi në harkun e një viti, me 0.16 pikë përqindje. Tashmë, Vlora përfaqëson 5.66% të ekonomisë së vendit. Berati, Kukësi dhe Korça kanë rritur gjithashtu peshën e tyre, paçka se me ritme ndjeshëm më të ulta.
Nga krahu i kundërt i tabelës ndërkohë, kemi qarkun e Lezhës, që ka humbur 0.1 pikë përqindje në peshën e tij në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, dhe tashmë përfaqëson 3.05% të ekonomisë sonë. Ndjek qarku i Durrësit, që ka humbur 0.16 pikë përqindje, me peshën e qarkut që ka zbritur në 9.98%, dhe duke zbritur nën nivelin e 10%. Fieri rezulton si qarku që ka humbur peshën më të madhe në ekonomi, me 0.3 pikë përqindje, nga 11.14% që përfaqësonte në ekonomi, në 10.84% në 2020-ën. Ndërkohë, edhe qarqe si Dibra dhe Shkodra kanë humbur peshë, por me ritme më të vogla. Gjirokastra është i vetmi qark që duket se nuk ka pësuar ndryshime me pandeminë, sa i përket asaj që përfaqëson në ekonominë e Shqipërisë, të paktën referuar vitit 2020.
Nëse këtë analizë do ta bënim në bazë rajonesh, do të kuptonim se rajoni i veriut ka humbur peshën më të madhe, me 0.35 pikë përqindje, dhe përfaqëson 22.66% të ekonomisë së vendit. Edhe rajoni i jugut ka humbur disi peshë, paçka se me vetëm 0.09%, dhe përfaqëson 27.54% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rajoni i qendrës ndërkohë ka rritur edhe më tej ndikimin që ka në ekonominë tonë, duke u ngjitur në 49.8%, nga 49.36% që ishte në 2019-ën.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments