Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku tarifat e komunikacionit janë mbi mesataren e Bashkimit Europian. Statistikat më të fundit të agjencisë europiane të statistikave sa i përket diferencës së çmimeve në kontinentin e vjetër për kategori të ndryshme, tregojnë se çmimet e komunikacionit në Shqipëri janë sa 108% e mesatares së Bashkimit Europian. Pra, për të komunikuar, shqiptarët duhet të paguajnë më shtrenjtë se një qytetar i 27 vendeve të Bashkimit Europian. Në pjesën dërrmuese komunikacioni përfshin telefoninë lëvizëse. Të dhënat i referohen vitit 2020. Për Kosovën ndërkohë, mungojnë shifrat e përditësuara, por ecuria e viteve të kaluara sinjalizon se, çmimet janë ndjeshëm në të ulta se në Shqipëri. Çmimet janë të shprehura sipas standardit të fuqishë blerëse. Shtetet e vetme në Ballkanin Perëndimor që i afrohen Shqipërisë sadopak për shtrenjtësi çmimesh në komunikacion janë Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina, me një normë sa 94% e mesatares së Bashkimit Europian. Për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën ndërkohë, çmimet “vërtiten” rreth shifrës së 70% të mesatares së Bashkimit Europian. Mesatarja e vendeve kandidate ndërkohë, fiksohet pranë 78%. Sakaq, sa i përket vendeve europiane, çmimet në Shqipëri janë më të shtrenjta se vende si Polonia, Hungaria, Rumania, Lituania, Estonia, Austria, Franca apo Italia sa për të përmendur disa prej tyre.
Deri në vitin 2017, çmimet e komunikacionit në Shqipëri kanë qenë më të ulta se mesatarja e Bashkimit Europian, pranë 97%. Kthesa ka ardhur në vitin 2018, dhe për dy vitet pasuese rritja ka qenë graduale, tregojnë shifrat e eurostat, të analizuara nga “Scan Intelligence Unit”.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments