Ekonomi

Si kanë ndryshuar shpenzimet e qeverisë ndër vite? Që prej 2009-ës, deri sot, çështjet ekonomike përgjysmojnë peshën

0

Shifrat më të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë sesi kanë ndryshuar shpenzimet qeveritare për periudhën 2007-2022. Analizimi i këtyre të dhënave vjen në ndihmë për të kuptuar se cilat janë prioritetet dhe sfidat e qeverive ndër vite dhe sesi ka ndryshuar fokusi i tyre. Nëse analizojmë të dhënat vetëm për dyvjeçarin që lamë pas, 2020-2021, shohim një rritje me 11% të shpenzimeve totale nga organet drejtuese.E kundërta vihet re nëse i referohemi peshës së secilit zë ndër vite, p.sh për periudhën 2007-2022 shohim se ruhet e njëjta stukturë shpërndarjeje, me luhatje të vogla, nga 1%-4%.

“Scan Intel” ka analizuar gjithashtu sesi ka ndryshuar pesha e secilit zë në raport me shpenzimet totale ndër vite, referuar vlerave progresive për periudhen Dhjetor 2007-Dhjetor 2021. “Shërbimet e përgjithshme publike” zënë 18%-23% të shpenzimeve totale ndër vite, “Mbrojtja” zë 2%-6% të peshës së shpenzimeve totale ndër vite, “Rendi dhe siguria publike” zenë 5%-7% të peshës së shpenzimeve totale ndër vite, “Çështjet ekonomike” zenë 7%-23% të shpenzimeve totale ndër vite, “Mbrojtja e mjedisit” zë 0%-1% të peshës së shpenzimeve totale, “Strehimi dhe komoditetet e komunitetit” zenë 2%-7%, “Shëndetësia” zë 8%-12%, “Argëtimi, kultura dhe çështjet fetare” zenë 1%-2%, “ Arsimi” zë 11%-12%, “Mbrojtja sociale” zë 27%-35% të peshës së shpenzimeve totale.Shifrat sinjalizojnë se shpenzimet funksionale të qeverisë për çështjet ekonomike ishin në vend të dytë në vitin 2009, me 23% të totalit, ndërkohë që në marsin e këtij viti kanë zbritur në vend të pestë me rreth 11% të totalit.

Por cilat janë funksionet e qeverisë që regjistrojnë rritje të shpenzimeve qeveritare për periudhën 2020/2021? “Strehimi dhe komoditetet e komunitetit” është zëri që regjistron pikërisht rritjen më të madhe ndërvjetore të shpenzimeve me 31%, sinjalizojnë shifrat. “Shëndetësia” ku përfshihet shërbimi spitalor, shëndeti publik, shërbimi i përgjithshëm mjekësor dhe të ardhurat nga fondi special për sigurime shëndetësore ka pësuar një rritje me 23%. Në vend të tretë ndërkohë gjejmë “Çështjet ekonomike”, në rritje me 20% në terma vjetorë. Në renditje ndjek “Mbrojtja” me shpenzimet 11% më të larta. Lista vijon me “Shpenzime totale”, me 11% rritje, si dhe me “Argetim, kulturedhe çështje fetare ”, me 10% rritje. “Shërbimet e Përgjithshme Publike” ku përfshihen shpenzimet për organe ekzekutive e legjislative, punët e jashtme etj, renditen më tej me rreth 9% rritje. Një peshë të konsiderueshme në këtë renditje kanë dhe shpenzimet (interesat) për borxhin publik. Rritje “modeste” kanë pësuar “Arsimi” me 8%, “Rendi dhe Siguria Publike” me 7% dhe “Mbrojtja e Mjedisit” me 4%.

“Mbrojtja Sociale” është funksioni me rritjen më të ulët buxhetore. Vetëm 2% janë shpenzuar më tepër për ofrimin e ndihmës ekonomike, pensioneve, pagesat e papunësisë dhe aftësive të kufizuara etj. Sa i përket zërave në rënie në nivel shpenzimesh krahasuar me një vit më parë, nuk regjistrojmë asnjë, pra të gjitha shpenzimeve qeveritare kanë ardhur gjithnjë dhe në rritje.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ekonomia, “me sytë” nga turizmi/ Turistët shpenzuan 408 mln euro në tre muajt e parë, rekord absolut, 65% mbi mesataren historike

Postimi mëparshëm

Aftësia digjitale, Shqipëria në fund të Europës/ EUROSTAT: Vetëm 1 në 4 shqiptarë kanë aftësi bazë të teknologjisë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.