Ekonomi

Si ka ndryshuar harta e importeve? Kosova, Izraeli, Polonia i zenë vendin Holandës, Francës, Maqedonisë së Veriut

0

Kriza e çmimeve por edhe rikonfigurimi i hartës gjeopolitike të globit kanë ndryshuar edhe “tortën” e importeve të Shqipërisë sipas shteteve. Të dhënat më të fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave në lidhje me shkëmbimet tregtare gjatë muajit prill të këtij viti, sa i përket importeve sinjalizojnë se dy vendet e para në krye të importeve janë të pandryshuara. Italia vijon të mbajë vendin e parë, me 23.5% të totalit të importeve në vendin tonë. Krahasuar me prillin e një viti më parë, kur fiksohej në rreth 25%, kjo peshë ka pësuar një rënie mjaft të lehtë. Në vend të dytë konfirmohet Turqia, me 15.4% të totalit, nga rreth 10.8% që peshonte ky shtet në importet e vendit, një vit më parë.

Në vend të tretë ndërkohë, ka një ndryshim, pasi është ngjitur Greqia, duke i “rrëmbyer” kështu këtë pozicion, Kinës. Greqia përfaqëson kështu rreth 8.2% të importeve në vendin tonë. Kina ka zbritur në vend të 4-tët, me 6.9% të totalit të importeve në vlerë, nga rreth 9.6% që ishte kjo peshë një vit më parë. Gjermania ka humbur gjithashtu një pozicion, dhe tashmë përfaqëson 6.1% të importeve, nga mbi 7% të një viti më parë. Serbia vijon të mbajë vendin e 6-të në klasifikim, ashtu si një vit më parë, por ka rritur peshën e saj në “tortën” e importeve në vendin tonë, duke u ngjitur nga 3.2%, në 4.1%, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”. Në vend të 7-të është ngjitur Arabia Saudite, nga pozicioni i 11-të që mbante në prillin e një viti më parë, duke e rritur peshën e saj në mbi 2%. Së fundmi, Arabia Saudite është kthyer në një prej vendeve kryesore importuese të naftës në vendin tonë. Në vend të tetë ndërkohë është ngjitur Polonia, shtet i cili pavarësisht se nuk ka ndryshime shumë të theksuara në peshë, këtë vit, për muajin prill është futur në listën e 10 vendeve më të mëdha importuese në shqipëri.

Sa i përket vendit të 9-të në klasifikim, shohim një prej suprizave më të mëdha; Izraelin, i cili një vit më parë renditej në pozicionin e 52-të. Edhe në këtë rast, bëhet fjalë në pjesën dërrmuese për produkte hidrokarbure. Izraeli përfaqëson tanimë 1.7% të importeve të vendit tonë, nga vetëm 0.2% që ishte kjo peshë një vit më parë.

Por, lajmi më i mirë duket se vjen pikërisht nga shteti që mbyll klasifikimin e 10 vendeve kryesore nga të cilat Shqipëria ka importuar mallra gjatë prillit; Kosova. Pesha e Kosovës në importet drejt Shqipërisë fiksohet në 1.6%. Në prillin e vitit të kaluar, Kosova renditej e 15-ta. Kështu, shifrat tregojnë se, Polonia, Izraeli dhe Kosova i kanë zënë vendin Francës, Holandës dhe Maqedonisë së Veriut në listën e 10 partnerëve më të mëdhenj të Shqipërisë në import, në harkun e një viti. Franca ka zbritur në vendin e 16-të, Holanda në të 26-tin, ndërsa Maqedonia e Veriut në të 14-tin.

Nga ana tjetër, shifrat sinjalizojnë se, pesha e vendeve të tjera është tkurrur, çka tregon një diversifikim më të ulët të importeve sipas shteteve, në prillin e këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Aksidentet me rënie edhe në prill/ Regjistrohen 11.5% më pak; Durrësi, Kukësi dhe Vlora të vetmet me rritje

Postimi mëparshëm

Inflacioni në 6.1% sipas Eurostat/ Çmimet rriten më pak se në Europë, renditemi të shtatët nga fundi

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.