Duket se pandemia ka goditur rëndë tregun e punës, duke ndikuar negativisht në të gjithë treguesit e tij. Këtë tregojnë shifrat më të fundit të forcave të punës të publikuara nga Instituti i Statistikave. Shkalla zyrtare e papunësisë në vendin tonë është 11.8%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, tremujori i katërt i vitit 2020 regjistron një rritje me 0.6 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020 rritja është shënuar me 0.2 pikë përqindje.
Në terma gjinorë, sipas shifrave, shkalla e papunësisë ka pësuar rritje më shumë te gratë sesa të burrat. Krahasuar me të njejtin tremujor të vitit 2019 shkalla e papunësisë për gratë është rritur me 1.1%, ndërsa për burrat me 0.2%. Shkalla e papunësisë si për meshkujt dhe për femrat është e barabartë për grup-moshën 30-64 vjeç.
Sa i përket shakllës së papunsisë sipas moshave, shqetësuese është shkalla e papunësisë për të rinjtë , e cila ka pësuar rritjen më të madhe se grupmoshat e tjera. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e katërt të vitit 2020 është 0,3 pikë përqindje më e lartë. Krahasuar me tremujorin e tretë 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë është rritur me 1,0 pikë përqindje. Në terma vjetorë treguesi i shkallës së papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është rritur me 0.9%.
Të dhënat tregojnë se gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020 shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është regjistruar 60.3% duke bërë që numri i të punësuarve të ulet me 3.4% krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.
Pavarësisht pandemisë, të dhënat e Institutit të Statistikasve tregojnë se paga mesatare bruto në vendin tonë ka arritur në 54.951 lekë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, nga 53.458 lekë që ishte vitin e kaluar, duke u rritur kështu me 2.8% .
Sektori që ofron pagën më të lartë, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020 është sektori financiar dhe ai i sigurimit me 2.1% më i lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar. Bujqësia dhe sektori i pyjeve dhe peshkimit kanë rënien më të lartë me 7.5% dhe gjithashtu rënie ka pësuar dhe sektori i ndërtimit me 1.8%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2020 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 4,6%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments