Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave, mbi statistikat e transportit, vihet re një rënie e përgjithshme e volumit të mallrave gjatë muajit mars të këtij viti, por gjithashtu dhe në terma tremujorësh. Volumi i mallrave të shkarkuara apo ngarkuara në porte ka rënë me 4% gjatë marsit të vitit 2022, krahasuar me të njejtin muaj të një viti më parë. Në tremujorin e parë të vitit mallrat e transportuara me det shihet të kenë rënë me 7.4%. Nga ana tjetër, mallrat e transportuara me ajër sinjalizojnë rënie deri në 4.2% gjatë muajit mars të këtij viti, por në terma tremujorësh shihet të ketë pësuar rritje me 7.3%. Të dhënat tregojnë se rënien më të madhe e kanë pësuar mallrat e transportuara me hekurudhë. Gjatë muajit mars të këtij viti volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë ka rënë me 37%, krahasuar me marsin e vitit 2021. Nëse do të flisnim për të njejtin tregues gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, rënia regjistrohet deri në 37.3%.
Nëse do të analizonim numrin e fluturimeve dhe atë të pasagjerëve situata paraqitet pozitive dhe treguesit me rritje. Numri i fluturimeve në mars të këtij viti regjistrohet në 2,326, duke pësuar një rritje prej 2.1 herë ose 106.2%. Rritje me 103.4% regjistron edhe nëse do ta krahasonim me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Kjo si pasojë e lehtësimit të masave të pandemisë, por gjithashtu le të rikujtojmë se në publikimet e mëparshme, INSTAT, njofton rritje të lëvizjes së shtetasve, por edhe të strukturave akomoduese. Numri i pasagjerëve paraqitet me rritje në të gjithë treguesit gjatë muajit mars, ku pasagjerët në linja ajrore janë rritur me 255.7%, ato në linja detare me 48.4%, ndërsa pasagjerët me hekurudhë me 398.4%. Edhe në terma tremujorë këto tregues sinjalizojnë rritje me 215.1%, 37.4% dhe 223.8% përkatësisht për pasagjerë në linja ajrore, detare dhe hekurudhore.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments