Pavarësisht tendencës që ka nxitur pandemia në shoqërinë globale sot, për të evituar pagesat cash, me paranë fizike si një burim infeksioni, dhe pavarësisht fushatës që ka nisur Banka e Shqipërisë për të shmangur paranë cash, shqiptarët vazhdojnë të preferojnë në masë pagesat tradicionale. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë sa i përket sistemeve të pagesave gjatë nëntorit tregojnë se, si pagesat nëpërmjet terminaleve POS ashtu edhe Homebanking jo vetëm që nuk janë regjistruar në trend rritës, por kanë pësuar një rënie, si në vlerë ashtu edhe në numër transaksionesh. Kështu, gjatë nëntorit, pagesat nëpërmjet terminaleve POS në vendin tonë kanë qenë në vetëm 2.27 mld lekë, pra rreth 18 milionë euro në total për një muaj. Muajin paraardhës, pagesat preknin vlerën e 2.5 mld lekëve, tregojnë shifrat zyrtare. Si në numër transaksionesh, ashtu edhe në vlerë, nëntori regjiostron shifrën më të ulët që prej muajit gusht. Gjatë muajve korrik-gusht ndërkohë, kur pagesat cashless duhet të preknin nivele më të larta, edhe si pasojë e sezonit turistik, u vu re një tendencë e kundërt.
Edhe sa i përket Homebanking, shifrat flasin për rënie. Gjatë nëntorit nëpërmjet procedurave bankare që kryhen nga pajisjet inteligjente u kryen vetëm 89.7 mln lekë transaksione, çka përkthehet në rreth 726 mijë euro, në total, në të gjithë Republikën, për 30 ditët e muajit nëntor.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments