Shqipëria është një ndër vendet që pavarësisht krizës, nuk ka shpallur ende një ndalim të eksporteve të produkteve bazë. Në rajon, Kosova, Serbia por edhe Maqedonia e Veriut e kanë marrë një masë të tillë. Madje, shifrat më të fundit mbi tregtinë e jashtme nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë marsit eksporti i drithërave nga Shqipëria ka prekur një rekord historik absolut. Bëhet fjalë për rreth 3.12 milionë kg drithëra të eksportuara, në rritje me rreth 16.000% krahasuar marsin e vitit të kaluar. Rritja është aq e madhe, sa që gjatë të gjithë periudhës kur të dhënat janë publike, që nga muaji janar i vitit 2005, e deri në shkurt të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar rreth 4.8 milionë kg drithëra. Pra, në vetëm një muaj, marsin e këtij viti, në kulm të krizës, vendi ynë ka eksportuar gati 40% të totalit të eksporteve të drithërave që ka bërë në 17 vite, ose në 207 muaj.
Por, shifrat tregojnë një anë tjetër të medaljes; thuajse e gjithë sasia e drithërave të eksportuar gjatë marsit ka shkuar drejt një shteti të vetëm, Kosovës. Më saktësisht, drejt Kosovës janë eksportuar rreth 3.03 milionë kg, ose 96.8% e totalit të eksprotit të drithërave nga Shqipqria gjatë marsit. Pjesën e mbetur ndërkohë, rreth 3.2% e ndajnë Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe në vlerë, rritja e eksporteve është mjaft e ndjeshme, madje më e lartë se në peshë, si pasojë e rritjes së çmimeve, mbi 17.000%. Gjatë marsit, vlera e eksportit të drithërave kap shifrën e rreth 185 milionë lekëve, ose afërsisht 1.53 milionë euro. Edhe te importet vihet re një rritje e ndjeshme, në terma vjetorë, pra krahasuar me marsin e vitit të kaluar, me rreth 30% në peshë, dhe rreth 45% në vlerë. Gjatë marsit Shqipëria ka importuar rreth 26.9 milionë kg drithëra, për një vlerë prej rreth 1.44 mld lekësh, që përkthehet në rreth 12 milionë euro.
Sa i përket eksportit të drithërave për një sasi rekord drejt Kosovës gjatë marsit, bëhet fjalë kryesisht për grur, dhe për SCAN nga shoqata e prodhuesve të miellit në vendin tonë shprehen se është një lëvizje për t`i ardhur në ndihmë Kosovës në kohë të vështira, duke qenë se ka pasur vështirësi me rezervat.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments