EkonomiRaporte

Shqipëria, më e varfra në rajon/ Banka Botërore: 1 në 5 shqiptarë jeton me më pak se 5,5 dollarë në ditë

0

Banka Botërore ka publikuar së fundmi raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor të titulluar “Manovrim mes krizash”, i cili përfshin impaktin e luftës në tregues të ndryshëm të ekonomisë. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar të dhënat e raportit mbi vlerësimet e varfërisë si dhe projeksionet për të ardhmen. Shifrat tregojnë se gjatë vitit 2021, 22% e shqiptarëve cilësoheshin si të varfër, ku me termin varfëri, Banka Botërore i referohet një personi që jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria regjistron përqindjen më të lartë të këtij treguesi gjatë vitit 2021. Në Kosovë janë 19,4% e popullsisë të cilët cilësohen të varfër sipas raportit. Kosova renditet e dyta me përqindjen më të lartë të këtij treguesi. Gjatë vitit 2021 duket se Serbia paraqet të dhënat më pozitive në rajon. Në Serbi rezulton që 9.8% e popullsisë jetojnë me më pak se 5,5 dollarë në ditë. Nga ana tjetër, Mali i Zi regjistron 16.2% të popullsisë të cilët jetojnë në varfëri, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka këtë tregues në 17.2% për vitin 2021. Për Bosnje Hercegovinën, Banka Botërore nuk disponon të dhëna.

Po ta analizojmë këtë tregues sipas viteve vihet re një rënie e varfërisë në vendin tonë, por megjithatë shifra vazhdon të jetë e lartë krahasuar me rajonin. Projeksionet e vitit 2022 për vendin tonë regjistrohen në 19.4%. Pra një rënie e përqindjes se varfërisë me 0.6 pikë përqindje. Nga ana tjetër,  projeksionet e vitit 2023 tregojnë se përqindja e personave në Shqipëri që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë do të ulet në 16,9%, por përsëri rezulton të jetë më e larta në rajon. Për vitin e pandemisë, pra vitin 2020, ky tregues regjistrohej në 31,3%, ndërsa të dhënat tregojnë se në vitin 2017-të ishin 35.8% e personave të cilët jetonin me më pak se 5,5 dollarë në ditë. Raporti ndër të tjera thekson se rritja e çmimeve globale të energjisë dhe ushqimeve kombinuar me ndikimet që sjell konflikti Rusi-Ukrainë, mund të thellojë nivelin e varfërisë në vendet e rajonit. Kjo ndodh pasi konflikti po godet së tepërmi eksportet e Ballkanit Perëndimor dhe ndërkohë rritja e çmimeve të konsumit po bën që shpenzimet e familjeve të shkojnë vetëm për ushqime.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa i kushtojnë ushqimet familjeve shqiptare? Rritja e çmimeve ka “fshirë” 7.7% të buxhetit familjar, të varfërit janë goditur 4 herë më shumë se të pasurit

Postimi mëparshëm

17% e familjeve shqiptare, borxh te të njohurit/ Vetëm 13% e tyre marrin borxh në banka. 70%, pa detyrime

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.