Ekonomi

Shërbimet kapërcejnë krizën. Hotelet dhe agjencitë e udhëtimit me rritje deri në 298%

0

Aktiviteti i shërbimeve ka pësuar ndryshime pozitive në tremujorin e dytë të vitit 2021, krahasuar më një vit më parë, gati në të gjithë treguesit e tij. Indeksi i shitjeve neto në këtë sektor ka shënuar rritje me 16.3% gjatë tremujorit të dytë, tregojnë të dhënat e “Institutit të Statistikave”. Indekset e treguesve në aktivitetin “Transport, Magazinim dhe Postë” po ashtu paraqiten me rritje si në shitjet neto me 63.2%, po ashtu dhe në numrin e të punësuarve me 2.5% dhe në fondin e pagave me 6.4%.

Hotelet dhe agjencitë e udhëtimit kanë qenë ndër aktivitetet më të goditura nga pandemia, por le të shohim se si kanë ndryshuar indekset e treguesve për këto aktivite në tremujorin e dytë të vitit 2021. Të dhënat sinjalizojnë se sektori i hoteleve ka rritje të shitjeve neto me 3.6 herë ose e thënë në përqindje 258.9%. Indeksi i numrit të të punësuarve ka shënuar rritje 44.6%, krahasuar më të njejtën periudhë të një viti më parë. Rritje po ashtu ka pësuar dhe fondi i pagave për këtë sektor me 68.8%, e cila është dhe rritja më e madhe e këtij indeksi për të gjithë sektorët. Agjencitë e udhëtimit po ashtu paraqesin një rritje të lartë të shitjeve neto me 298.6%, e cila është dhe rritja më e madhe nga të gjithë sektorët e tjerë. Megjithëse me rrijte në indeksin e shitjeve, ky sektor paraqitet me rënie në numrin e të punësuarve më -17.3% dhe gjithashtu në fondin e pagave me -4.3%.

Sektori “Bar Restorante” po ashtu ka pësuar rritje, por jo në të gjithë indekset e tij. Rritje vihet re në indeksin e shitjeve neto me 82.1% dhe në fondin e pagave me 5.5%, por ky sektor ka pësuar rënië në indeksin e numrit të të punësuarve me -10.7%. Rrije po ashtu kanë shënuar dhe indekset e zërit “Informacion dhe Komunikacion” ku rritja më e madhe vihet re në fondin e pagave me 33.2%.