Hidrokarburet, nafta dhe benzina janë prej produkteve më të konsumuara nga qytetarët, dhe padiskutim që rritja e çmimeve të tyre peshon ndjeshëm në buxhetin familjar. “Scan Intelligence Unit” ka bërë një analizë të thelluar mbi çmimet e naftës në Europë sipas shteteve, bazuar mbi pagën neto. Pra, sa peshë zë një serbator “full” i makinës në pagën mesatare të qytetarëve në secilin shtet? Nga analiza dhe përpunimi i shifrave, rezulton se në Shqipëri, një serbator “full”, i llogaritur në 50 litra, është i barabartë me 21.5% të pagës neto të një shqiptari mesatar. Për Shqipërinë, paga mesatare është përllogaritur në rreth 396 euro, sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave për një pagë neto në rreth 49 mijë lekë në muaj. Edhe çmimi i naftës në vendin tonë është përllogaritur pranë 211 lekëve. Pra, një serbator plot i makinës i heq një shqiptari mesatar diçka më shumë se 1/5 e pagës së tij mujore.
Por, si renditet Shqipëria krahasuar me vendet e tjera europiane? Në vend të parë! Krahasuar me vendet e tjera të Europës, shqiptarët në Shqipëri e paguajnë naftën më shtrenjtë se kushdo tjetër në Europë në raport me të ardhurat e tyre, sinjalizojnë shifrat e përpunuara dhe analizuara nga “Scan Intelligence Unit”. Madje, në vend të dytë gjejmë një tjetër shtet shqiptar, Kosovën, që ndjek fill pas nesh, me koston e një serbatori “full” në 17.85% të pagës mesatare neto. Në vend të tretë gjejmë të renditur Gjeorgjinë, me një kosto prej 17.15% të pagës mesatare neto në muaj. Moldavia me 16.7%, Armenia me 15.8%, Maqedonia e Veriut me 14.7%, Bosnje Hercegovina me 13.8%, Ukraina me 13.5%, Serbia me 12.1% dhe Bjellorusia me 11.5% ndërkohë, mbyllin 10 vendet e para të renditjes.
Nga krahu i kundërt i tabelës ndërkohë gjejmë Irlandën, ku qytetarëve, një serbator “full” ju kushton vetëm 2.66% të pagës mesatare neto mujore, Danimarka me 2.6% dhe Zvicra me vetëm 2.06%.
Në terma absolut, një shqiptari i kushton një mbushje “full” e makinës rreth 85 euro, ndërsa një zviceriani rreth 101 euro, por diferenca e madhe në pagat mesatare mes dy vendeve bën që në fuqi blerëse, zvicerianët të kenë hapësira për ta mbushur 12 herë makinën e tyre plot, në mënyrë që të barazojnë një shqiptar.
Veç disa shteteve kryesisht të vogla për të cilat të dhënat nuk janë të rifreskuara, në renditje mungon edhe Turqia, vend në të cilin luhatja mjaft e fortë e monedhës vendase “çorodit” shifrat.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments