“Scan Intelligence Unit” ka nisur një cikël analizash mbi tregje të caktuara në vend, për të kuptuar se çfarë peshe kanë në treg industri të caktuara, sa të ardhura kanë, sa fitojnë, sa ka ndikuar pandemia, etj. Ky cikël nisi me analizën mbi laboratoret mjekësore private në vend gjatë pandemisë, spitaleve private, vijoi me atë të supermarketeve, ujit të pijshëm, industrinë e librit, automjeteve, etj. Tashmë do të vazhdojmë me një tjetër sektor; atë të përpunimit të mishit. Kemi marrë në analizë disa prej kompanive më të mëdha në vend që operojnë në këtë sektor, nga të ardhurat. Në analizë përfshihen 20 kompani, të ardhurat e të cilëve të marra së bashku perafersisht arrijnë në vlerën e 11.7 mld lekë, ose rreth 98 milionë euro.
Nga analiza e pasqyrave financiare për vitin 2020, rezulton se “E.H.W” është kompania me nivelin më të lartë të të ardhurave. Rreth 5.7 mld lekë rezulton të jetë xhiro vjetore për këtë subjekt gjatë 2020-ës, duke e pozicionuar në vend të parë, ndër 20 të tilla që janë marrë në studim.
“KMY” është në vend të dytë, të ardhurat e të cilës për vitin 2020 llogariten në 2.5 mld lekë, duke e renditur atë të dytën në listën e 20 kompanive të specializuara në përpunimin e mishit me të ardhurat më të larta vjetore.
“HAKO”, “TONA” dhe “FIX PRO” janë tre kompanitë e tjera që plotësojnë 5 vendet e para, përkatësisht 750 mln lekë të ardhura për “HAKO”, 640 mln lekë të ardhura për “TONA” dhe 441 mln lekë për “FIX PRO”.
Sa i përket fitimit neto, është po “E.H.W” kompania që mban vendin e parë. Rreth 654 mln lekë llogaritet fitimi neto për këtë kompani në 2020-ën. “HAKO” renditet në vend të dytë, me 94 mln lekë, i ndjekur nga “TONA”, me 38 mln lekë. Ndërkohë, sa i përket fitimeve, “KMY” zbret në vend të 4-tët, me vetëm 33 mln lekë. Në vend të 5-të ndjek “FIX PRO”, me 31 mln lekë, “KAZAZI” me 17 mln lekë, dhe “ERDA”, me 14 mln lekë fitime. Në total, të 20 kompanitë e marra në analizë kanë raportuar gjatë 2020-ës rreth 910 milionë lekë fitime neto, ose 7.6 milionë euro. Mesatarja e fitimit neto të të 20 kompanive ndërkohë fiksohet në rreth 380 mijë euro në vit. Ashtu si me të ardhurat, edhe fitimet neto të kësaj industrie gjatë pandemisë janë rritur. Por, në rastin e fitimeve, rritja duket ndjeshëm më e lartë në 2020-ën, me rreth 21% krahasuar me vitin 2019.
Sa i përket përqindjes marxhinale të fitimit, analiza e bilanceve të këtyre kompanive tregon se kjo normë ngjitet deri në 10%, në rastin e kompanisë në krye të klasifikimit. Por, në sy bie gjithashtu fakti se për disa kompani, këto norma janë konstante ndër vite, të paktën referuar 4 viteve të fundit.
Nëse do t`i referohemi industrisë së mishit dhe nënprodukteve të tij në total, për vitin 2020 të ardhurat gjithëpërfshirëse për 20 kompanitë e marra në shqyrtim, kapin vlerat e 11,7 mld lekëve, 11,72 mld lekë për vitin 2019, 11,09 mld lekë për vitin 2018 dhe 10,5 mld lekë për vitin 2017, çka sinjalizon se është një industri stabël, dhe me rritje progresive nga viti në vit. Mesatarja e rritjes vjetore të të ardhurave ndër vite për industrinë fiksohet në 4%, dhe në rreth 13% sa i përket fitimeve. Bazuar serish mbi të dhënat e deklaruara në pasqyrat financiare të këtyre subjekteve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, për periudhën 2017-2020, e ardhura neto e industrisë arrin vlerat 900 mln lekë, 755 mln lekë, 698 mln lekë dhe 582 mln lekë respektivisht për vitet 2020, 2019, 2018, 2017.
Nese do të bejmë një raport të fitimit neto ndaj të ardhurave gjithëpërfshirëse, rezulton se përqindja marxhinale e fitimit të industrisë është 8% për vitin 2020, ndjekur nga 6% për tre vitet paraardhëse 2019, 2018, 2017.
Këto të dhëna i atribuohen të dhënave të grumbulluara nga QKB për 20 prej kompanive më të mëdha të kësaj industrie të marra në analizë nga “Scan Intelligence Unit”. Duhet theksuar se këto kompani jo domosdoshmërisht prodhojnë dhe tregtojnë vetëm nënprodukte të mishit, por edhe produkte të tjera, përfshirë edhe mishin në vetvete. Gjithsesi, nënproduktet e mishit përbëjnë shtyllën kryesore të biznesit të tyre, dhe këto shifra japin një panoramë të përafërt të peshës së këtij sektori në vendin tonë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments