Ekonomi

Sa zjarrfikës ka Shqipëria? Rreth 1 mijë! Përballojnë një fluks 21 herë më të lartë se kolegët e tyre në Europë

0

Çdo vit me ardhjen e temperaturave përvëluese, Shqipëria “pushtohet” nga flakët, nga veriu në jug të vendit. Përveç kërcënimit të drejtpërdrejtë në jetë njerëzish, zjarret përfaqësojnë edhe një faturë direkte për ekonominë e vendit dhe për mijëra biznese. Raporte të ndryshme ndërkombëtare, si ai i `World Risk Index` e klasifikojnë Shqipërine mes vendeve më të rrezikuara dhe mes atyre me kapacitetet më të ulta për të përballuar katastrofat natyrore. “Scan Intel” është fokusuar në një analizë mbi zjarrëfikësit, kapacitetet tona në këtë drejtim dhe krahasimin me Europën.

Në Shqipëri ka rreth 1 mijë zjarrfikës gjithsej, ose më saktë 1067 të tillë. Kjo shifër del në pah nga baza e të dhënave mbi pagat, e rrjedhur pak kohë më parë në publik dhe që i referohet muajit prill të vitit të kaluar. Sipas Ministrisë së Brendshme ndërkohë, shërbimi zjarrfikës në vend numëron rreth 1250 punonjës, por jo të gjithë janë zjarrfikës, çka të çon sërish te shifra pranë 1 mijë. Në të gjjithë Bashkimin Europian numërohen rreth 365 mijë zjarrfikës operativ, ose 0.2% e të punësuarve gjithsej. Po në Shqipëri sa është kjo normë? Vetëm 0.15%! Norma i referohet raportit mbi totalin e të punësuarve me pagë në vendin tonë, që sipas Institutit të Statistikave fiksohet në rreth 703 mijë. Në rast se këtë përllogaritje do ta bënim mbi totalin e të punësuarve gjithsej, ku klasifikohen edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, atëherë norma do të zbriste në vetëm 0.08%, pra më shumë se dy herë më e ulët se norma në Bashkimin Europian.

Ndërkohë që zyrtarisht nga institucionet shqiptare nuk ka asnjë statistikë zyrtare në lidhje me sipërfaqet e djegura nga zjarret në vendin tonë, programi “Copernicus” i Sistemit të Informacionit Europian për Zjarret e Pyjeve (EFFIS), tregon se përgjatë të gjithë vitit të kaluar, në vendin tonë janë djegur plot 31,275 hektarë pyje. Në rast se do të bënim një raport të thjeshtë përmbi numrin e zjarrfikësve në Shqipëri, atëherë rezultojnë 29.3 hektarë, ose 293 mijë metra katrorë sipërfaqe të djegura për një zjarrfikës. Në Bashkimin Europian ndërkohë kjo normë fiksohet në vetëm 1.37 hektarë për zjarrfikës, ose 21.4 herë më e ulët se në vendin tonë. Në union gjatë 2021-shit raportohen rreth 500 mijë hektarë pyje të djegura, në 22 shtete, për 365 mijë zjarrfikës.

Edhe pse kjo analizë fokusohet vetëm te burimet njerëzore dhe jo infrastruktura në tërësi, si makineritë, pajisjet apo investimet, shifrat tregojnë qartë se diferencat me Europën janë të mëdha, pavarësisht faktit se Shqipëria është në hartën e kuqe të rrezikut nga zjarret në Europë dhe çdo vit, gjatë sezonit të verës raporton dhjetra vatra aktive zjarri njëkohësisht. Pamjet të cilat bëhen virale çdo vit ku, tregojnë anëtarët e forcave të mbrojtjes apo banorët e zonave të prekura të cilët luftojnë me flakët pa asnjë masë mbrojtëse apo pajisje marrin sens pikërisht nga këto shifra, me vetëm rreth 1 mijë zjarrfikës, të cilët duhet të përballojnë një fluks mbi 20 herë më të lartë se ai i kolegeve të tyre nëpër Europë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni “kërcen” në 7.5%/ Rritja e çmimeve “pushton” të gjitha grupet, vaji dhe drithërat prekin rekorde të reja

Postimi mëparshëm

Shqiptarët fitojnë €263 milionë në vit nga shitja e pronave/ Fitimi në vitin 2021, 69.2% më i lartë se në vitin 2019-të

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.