Ekonomi

Sa vlen tregu i qirave? 242 milionë euro në vit, rritet me mbi 50% në harkun e 6 viteve

0

“Scan Intel” ka analizuar gjerësisht shifrat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për të kuptuar se çfarë vlere ka tregu i qirasë në vendin tonë, si dhe ecurinë ndër vite. Të dhënat zyrtare nga ky institucion tregojnë se tatimi mbi të ardhurat nga qiraja gjatë vitit 2021 fiksohet pranë 4.27 miliardë lekëve. Kështu, me një normë tatimi prej 15%, shifra prej 4.27 mld lekësh sinjalizon se në total, ky treg në vendin tonë vlen plot 28.5 miliardë lekë, ose 242 milionë euro. Kjo shifër tregon vlerën e kontratave të qirasë në vendin tonë në një vit. Të paktën referuar të dhënave të vitit 2021, kur janë edhe shifrat e fundit publike në dispozicion. Tatimi mbi të ardhurat nga qiraja në normën 15% përfshin të gjitha llojet e qiradhënies, pra jo vetëm të banesave por edhe të bizneseve. Shifra prej 242 milionë eurosh si vlerë e këtij tregu ndërkohë, përfaqëson vetëm pjesën formale, ndërkohë që informaliteti është i përhapur, sidomos në qiradhënien e banesave, çka do të thotë se në total kjo shifër përfaqëson vetëm vlerën minimale të këtij tregut.

Por, si ka lëvizur ky treg ndër vite? Nga analiza e të dhënave rezulton se viti 2021 përfaqëson një rekord historik, që është rrjedhojë e rritjes së çmimit të qirave gjatë viteve të fundit. Në vitin 2020, ky treg vlente 217 milionë euro, çka reflekton edhe efektin e pandemisë në këtë biznes. Për vitin 2019 ndërkohë, përpara pandemisë, tatimi mbi të ardhurat nga qiraja sinjalizon një vlerë tregu të qirasë prej rreth 230 milionë eurosh, rreth 219 milionë euro në 2018-tën, 212 milionë euro në 2017-tën, dhe rreth 215 milionë euro në 2016-tën (sipas kursit të sotëm të këmbimit Lek-Euro). Viti 2015 ndërkohë, kur edhe janë të dhënat e fundit publike historike, sinjalizon se ky treg vlente vetëm 160 milionë euro. Pra, në harkun e vetëm 6 viteve, vlera e tregut të qirasë është rritur me plot 82 milionë euro, referuar vetëm pjesës së formalizuar.

Pra, ndërkohë që në terma absolutë rritja fiksohet pranë rreth 82 milion eurove, në terma nominalë fiksohet pranë 51.25%. Kjo normë jo domosdoshmërisht lidhet me rritjen e çmimeve, por mund të arsyetohet në një pjesë të madhe me një zgjerim të këtij tregu, pra me nxjerrjen e më shumë pronave në qiradhënie, si për biznes ashtu edhe për individë. Kjo normë rritje në vlera të përafërta vlen edhe për pjesën informale të tregut të qiradhënies. Një vrojtim i pak kohëve më parë nga Banka e Shqipërisë referuar viteve 2018-2019 tregonte se rreth 13% e pronave të familjeve janë bosh, pra nuk përdoren për asnjë qëllim, gjë që tregon qartë potencialin e këtij tregu në vendin tonë dhe marzhet e rritjes (shiko këtu).

Në Shqipëri vlerësohet sipas studimeve të ndryshme, si nga Instituti i Statistikave ashtu edhe nga Eurostat se diçka më pak se 10% e familjeve jetojnë me qira. Pavarësisht faktit se qiramarrësit janë edhe individual, pra studentë apo punonjës jashtë qytetit të tyre të origjinës, pjesën më të madhe të tregut të qirave e përbëjnë kryesisht bizneset, kontratat e të cilëve kanë edhe një vlerë nominale më të lartë, çka sinjalizon se në një pjesë të konsiderueshme, shifra prej 242 milionë eurosh në vit si vlerë e këtij tregut, i përafrohet ndjeshëm realitetit.

Pra, shifrat tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një treg me potencial të lartë dhe në zgjerim të vazdhueshëm, me një impakt tranzitor të pandemisë, të përqëndruar vetëm gjatë vitit 2020, ndërkohë që në 2021-shin ka regjistriar nivelin më të lartë historik.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Analiza e tregut të kinemave/ Rreth 4 mln euro të ardhura, pak fitime. Pandemia “tronditi” biznesin

Postimi mëparshëm

Çmimet, shqiptarët në rrezik varfërie/ OKB: Shqipëria, ndër vendet më të rrezikuara. Lekë në dorë në formë ndihme, jo subvencionim të energjisë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.