Ekonomi

Sa fiton biznesi shqiptar? Rreth 2 mld euro në vit normal, por me pandeminë “avulluan” 450 milionë euro

0

Sipërmarrja është jo vetëm shtylla kryesore e çdo ekonomie në një treg të lirë, por edhe një burim të ardhurash mjaft i rëndësishëm për individët dhe familjet, sidomos në realitetin shqiptar. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar dhe kryqëzuar disa të dhëna zyrtare për të kuptuar se sa fiton biznesi shqiptar. Tatimi mbi fitimin i derdhur në arkat e shtetit çdo muaj nga persona juridik apo fizik të cilët ushtrojnë një aktivitet biznesi është treguesi kryesor i normave të fitimit. Kështu, gjatë vitit 2020, viti i fundit fiskal me të dhëna të plota, në arkat e shtetit u derdhën 28.38 miliardë lekë në formën e tatimit mbi fitimin. Fitimi tatohet në masën 15%, por me disa përjashtime, të cilat duket se ndikojnë pak në shifrën e përgjithshme, pra atë të fitimit total të biznesit në vend, në një vit. Nga kjo shifër, dalim në përfundimin se gjatë vitit 2020, fitimet vjetore bruto të subjekteve të regjistruara kanë qenë 189 milardë lekë, ose 1.57 miliardë euro, si dhe 1.33 mld euro neto. Kësaj shume i mungojnë bizneset e vogla me të ardhura jo më shumë se 14 milionë lekë në muaj, të cilat nuk paguajnë tatim mbi fitimin. Por, duke qenë se bëhet fjalë për biznese të cilat kanë të ardhura mjaft të vogla edhe fitimet e tyre parashikohen të tilla, çka sinjalizon se shifra totale do të ndikohej lehtë. Nga ana tjetër, një prej përjashtimeve të normës së tatimit prej 15% i referohet zhvillimit të softëare, me një normë prej 5%. Por, edhe në këtë rast, për shkak se bëhet fjalë për biznese jo shumë të përhapura, shifra nuk pritet të ketë ndikim të madh.

Por, shifra prej 1.57 miliardë eurosh fitime nga biznesi shqiptar në një vit, i referohet 2020-ës, pra vitit të pandemisë. Vitin paraardhës të krizës, në 2019-ën, bizneset shqiptare duket se fitonin 2.02 miliardë euro në vit, apo 1.71 mld euro pas taksës. Kjo është edhe shifa më e lartë në 5 vitet e fundit të marra në analizë nga “Scan Intelligence Unit”. Në 2018-ën fitimet bruto përllogariten në rreth 1.9 miliardë euro, në 2017-ën në 1.75 miliardë euro dhe në 2016 në rreth 1.61 miliardë euro. Këto shifra tregojnë edhe njëherë efektet e pandemisë në sipërmarrjen shqiptare, e cila llogaritet të ketë humbur rreth 450 milionë euro. Kjo shifër përkthehet në “humbje” që fiksohen në rreth ¼ e fitimit.

Po sa i përket vitit aktual? Shifrat zyrtare mbi të ardhurat fiskale deri më tani janë bërë publike vetëm për 11 muajt e vitit, me dhjetorin ende të pazbardhur. Por, pavarësisht se mungon një muaj, shifra duket se ka tejkaluar edhe vitin 2020, pasi fiksohet në 1.69 miliardë euro bruto, apo 1.45 mld euro neto. Gjasat duken ende që mos të jetë arritur niveli i para pandemisë, sa i përklet termave të fitimeve të biznesit. Nga një projeksion i thjeshtë, bazuar në termat e rritjes së tatimit mbi fitimin të derdhur në arkat e shtetit në dhjetor të vitit 2020, që fiksohet në 14.4% krahasuar me muajin paraardhës, atëherë, shifra e fitimeve të biznesit në vendin tonë gjatë këtij vitit pritet mos ta kalojë nivelin e 2 miliardë eurove.

Padiskutim që në gjithë këtë analizë të fitimeve të biznesit mungon faktori informalitet. Shifrat janë të bazuara vetëm në të dhënat zyrtare, dhe sidomos ato tatimore. Pra, projektimi i fitimeve ëshët bërë mbi tatimin që subjektet i paguajnë shtetit mbi fitimin e tyre. Në realitetin shqiptar kur flasim për ekonomi informale duhet të kemi parasysh një sërë degëzimesh, që nga informaliteti i plotë, pra biznese të paregjistruara fare, deri te biznese të cilat nuk e deklarojnë fitimin e tyre, ose e deklarojnë të pjesshëm, etj, etj.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Aftësia digjitale, Shqipëria e 48-ta në botë/ Raporti i “WILEY”: Grumbullojmë 5.2 pikë duke lënë pas vendet e rajonit

Postimi mëparshëm

Rezervat e BSH rriten me 780 mln euro/ Në vetëm një muaj. Rritja rezulton thuajse e gjitha në valutë të huaj

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.