Të dhënat zyrtare sa i përket investimeve të huaja direkte në vendin tonë tregojnë se në Shqipëri nuk ka investime ruse në këtë formë. Qeveria shqiptare deri më tani ka mbështetur sanksionet e vendeve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë, përfshirë ngrirjen e disa aseteve, dhe “goditjen” e 654 individëve dhe 52 subjekte, të listës së Bashkimit Europian dhe që ka shumë pak gjasa të kenë lidhje me Shqipërinë. Pavarësisht kësaj, sipërmarrjet me origjinë ruse, në një mënyrë ose në një tjetër, në shumë pjesë të botës perëndimore janë bërë “shënjestër” e sanksioneve, ose mund të preken indirekt nga to.
“Scan Intelligence Unit” ka siguruar disa informacione shtesë nga “Qendra Kombëtare e Biznesit” për të kuptuar se sa sipërmarrje me pronësi ruse operojnë në vendin tonë, dhe rezulton se në total janë 68 të tilla, ku 63 janë me pronësi 100% të huaj, pra ruse në rastin konkret, ndërsa vetëm 5 janë në bashkëpronësi me sipërmarrës shqiptarë. Por, ku janë të lokalizuara më së shumti këto kompani? Në Tiranë dhe Vlorë, ku janë përqëndruar 57 ndër 68 kompanitë, ose 84% e totalit. Më saktësisht, në Tiranë gjenden 34 kompani ruse, në Vlorë 23, 9 në Durrës dhe 2 në qarkun e Beratit.
Por, në cilat fusha të ekonomisë operojnë më së shumti kompanitë me origjinë nga Rusia që janë të lokalizuara në vendin tonë? Në vend të parë, dhe që bie kryesisht në sy për shkak të veprimtarisë, janë ato në fushën e “Shërbimeve administrative dhe mbështetëse”, me 14 të tilla, ndërkohë që ndjekin me 11 ndërmarrje ato në fushën e “Aktiviteteve profesionale, shkencore dhe teknike”. Ndërkohë, 9 kompani të tjera operojnë në fushën e “Tregtisë me shumicë dhe pakicë; riparimin e automjeteve dhe motorçikletave”. Tetë kompani të tjera operojnë në fushën e “Akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, 6 kompani në “Informacion dhe komunikacion”, 5 kompani në fushën e “Aktiviteteve të pasurive të paluajtshme”, nga 3 në “Ndërtim”, “Arte, argëtim dhe çlodhje” si dhe “Aktivitete të tjera shërbimi”, 2 në “industrinë përpunuese” dhe nga 1 në “Shëndet dhe aktivitete të punës sociale”, “Industri nxjerrëse” dhe “Arsimim”.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments