Ekonomi

Rritja e naftës na “fshin” 11.4% të pagës mujore/ Konsumi “përkthehet” në rreth 5200 lekë shtesë në muaj për çdo shofer

0

Shqiptarët konsumojnë rreth 649 milionë litra hidrokarbure në vit, bazuar në të dhënat e monitorimit për vitin 2020 të konçesionarit të markimit të karburanteve, GFI Albania. Në të gjithë territorin e Republikës gjatë vitit 2020 qarkullonin 628 mijë mjete rrugore, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Nga një përllogaritje e thjeshtë e “Scan Intelligence Unit”, rezulton se çdo automjet në vend konsumon mesatarisht rreth 1033 litra karburant në vit, ose 2.83 litra në ditë. Ndërkohë, çmimi mesatar i një litri naftë apo benzinë gjatë vitit të kaluar fiksohet në rreth 170 letë për litër, që përkthehet në rreth 481 lekë konsum mesatar ditor për çdo shofer. Me rritjen e çmimit të naftës në 230 lekë për litër, ky konsum mesatar ditor ngjitet në 651 lekë, pra në rritje me 170 lekë në ditë.

Por, si përkthehet kjo rritje ditore e konsumit? 170 lekë në ditë shtesë për cdo shofer është e barabartë me rreth 5200 lekë në muaj. Gjatë vitit 2020 paga mesatare bruto në vendin tonë fiksohej në 54,951 lekë në muaj, e cila përkthehet në 45,553 lekë neto në muaj në xhepat e një shqiptari mesatar. Me 5200 lekë shpenzime shtesë në muaj si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, atëherë, impakti i rritjes së çmimit të naftës do të ishte rreth 11.4% e pagës. Pra, kaq do t`i kushtojë rritja e cmimit të naftës dhe benzinës një shqiptari mesatar që posedon një mjet personal për të qarkulluar.

Në terma të përgjithshëm, shqiptarët shpenzojnë rreth 110 mld lekë çdo vit hidrokarbure, ose rreth 900 milionë euro. Me rritjen e çmimit, ky shpenzim vjetor do të rritej me rreth 320 milionë euro.

Duhet të kemi parasysh se, të dhënat i referohen vitit 2020, kur pandemia dha ndikimin më të madh në transport, çka do të thotë se në vitin pasardhës, por edhe këtë vit, projeksionet “flasin” për një rritje të konsumit. Nga ana tjetër, përllogaritjet janë bërë mbi bazën e një mesatare kombëtare, si për konsumin, ashtu edhe për pagën. Përllogaritja është gjithashtu e përafërt për shkak se jo të gjitha llojet e hidrokarbureve kanë të njëjtin çmim, por edhe për faktin se jo të gjitha llojet e automjeteve i nënshtrohen të njëjtit regjim tatimor sa i përket hidrokarbureve, por se gjihtsesi përjashtimet janë aq të vogla sa nuk kanë ndikim domethënës në shifrën totale.

Kjo është vetëm njëra anë e “medaljes”, pjesa direkte e “faturës” së rritjes së çmimit të naftës, pasi ndikimi pritet të zgjerohet në formën e një efekti zinxhir, duke qenë se transporti ndikon në çdo hallkë të ekonomisë, dhe pritet një rritje e çmimeve për shumë produkte dhe shërbime. Nga ana tjetër, çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare vijon të rritet, dhe stabilizimi i çmimeve në nivelet e mëparshme duket shumë i largët. Ndërkohë, sipas shoqatës së hidrokarbureve ky shtrenjtim i çmimeve është pasojë e ndryshimit të çmimit në bursa. Nga ana e saj, qeveria shqiptare nuk ka dhënë ende asnjë sinjal se është e gatshme të krijojë hapësira fiskale për uljen e çmimit të naftës për konsumatorin final.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

6 marsi, gara e premtimeve “boshe”/ Analiza e 18 kandidatëve, nga premtimet në “ajër”, te ato të munguara

Postimi mëparshëm

Gratë, biznesi dhe ligji në Shqipëri/ Raporti i BB: Renditemi në vend të 35-të në botë, të tretët në rajon, pas Kosovës dhe Serbisë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.