Shifrat më të fundit të tregut të punës të publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se shkalla zyrtare e papunësisë në vendin tonë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021 është ngjitur në 11.4%. Krahasuar me një vit më parë ky tregues ka shënuar rënie me 0.4 pikë përqindje. Nga ana tjetër treguesi i nivelit të papunësisë shihet të ketë rritje krahasuar me tremujorin paraardhës, me 0,1 pikë përqindje. Papunësia e të rinjve ndërkohë është rritur me 0.7 pikë, paçka se në terma vjetor regjistron rënie. Shkalla më e lartë e papunësisë vijon të regjistrohet te grup-moshat e reja. Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 20,6 %. Duhet theksuar se të rinjtë e kësaj moshe, që deklarojnë se janë nxënës apo studentë, përbëjnë 72.1% të të rinjve ekonomikisht jo aktivë. Në terma gjinorë, sipas shifrave, shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,0% dhe për gratë 11,8%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e papunësisë është ulur me 0,7 pikë përqindje për burrat, dhe është ulur me 0,3 pikë përqindje për gratë.
Shifrat tregojnë se gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 62,1%. Ky tregues ka pësuar rritje, me 1.5 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pavarësisht rritjes vjetore, jo shumë pozitiv paraqitet ndryshimi tremujor. Të dhënat flasin për një rënie të nivelit të punësimit gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, krahasuar me tremujorin e tretë të po këtij viti, me 0.3 pikë pëqindje. Shkalla më e lartë e punësimit vërehet në grupmoshën 30-64 vjeç, me 71.7%. Punësimi u ul me 1,0% në sektorin e industrisë, me 0,2% në sektorin e shërbimeve, dhe u rrit me 0,2% në sektorin e bujqësisë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments