Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, tregtia me pakicë duket se ka shënuar rikthim po ta krahasojmë me të njejtën periudhë të vitit të pandemisë. Të dhënat e “Institutit të Statistikave” mbi tregtinë me pakicë, tregojnë se indeksi i volumit të shitjeve me pakicë është rritur 9,9%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020. Po ta krahasojmë këtë indeks me tremujorin paraardhës, shihet të ketë pësuar rënie me 0.3%.
Në tregtinë më pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë e hidrokarbureve, volumi i shitjeve për tremujorin e parë të këtij viti është rritur me 5.5%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Po të marrim në analizë ndryshimin e grupeve një e nga një secili, krahasuar më një vit më parë, shohim se grupi “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare të specializuara”, ka pësuar rënie me 1.2% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Grupi “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” ka pësuar rritje me 10.9%, ndërsa në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara” volumi i shitjeve është rritur me 23.9%.
Po të shohim ndikimin e grupeve në ndryshimim vjetor prej 9.9% siç e theksuam më lart, shohim se pozitivisht kanë ndikuar grupet “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” dhe “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara” me nga 5.9 pikë përqindje dhe 5.5 pikë përqindje respektivisht. Negativisht ka ndikuar grupi “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare të specializuara” me rënie me 1.5 pikë përqindje.
Nga ana tjetër, nëse do të merrnim në analizë ndryshimin e grupeve krahasuar me tremujorin paraardhës, në tremujorin e dytë të vitit 2021 volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë hidrokarburet” ka pësuar rënie më 0.4%. Në grupe të veçanta, grupi "Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare të specializuara” nuk ka pësuar ndryshime. Grupi “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” ka rënë me 0.7%, ndërsa grupi “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara” ka rënë me 2.3%
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments