Ekonomi

Rriten pagat me 6.6% në vitin 2021/ Edhe papunësia në rënie të lehtë, por tregu i punës vijon me problematika

0

Paga mesatare bruto në Shqipëri për një të punësuar me pagë, gjatë vitit 2021, llogaritet në 57,191 lekë. Shifrat e publikimit të “Institutit të Statistikave” mbi tregun e punës sinjalizojnë se paga mesatare bruto gjatë vitit 2021 është rritur me 6.6%, krahasuar me vitin 2020. Nëse do të krahasonim ndryshimin vjetor të pagës sipas aktivitetit ekonomik, norma e përgjithshme tregon se paga mesatare bruto ka pësuar rritje në të gjitha aktivitetet për vitin 2021. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë vihet re se rritjen më të madhe e ka pësuar paga në aktivitetin “Tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motorçikletave, transporti dhe magazinimi, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”. Paga për këtë aktivitet regjistron rritje vjetore në 9.8%. Aktiviteti i dytë, i cili regjistron rritjen më të lartë të pagave gjatë vititi 2021 është “Industria nxjerrëse, përpunuese dhe energjia elektrike” me 7.7%. Ndjek “Informacioni dhe komunikacioni” me 7.1%, si dhe “Administrata publike” me 6.9%. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme regjistrojnë rritjen me të ulët të pagës gjatë vitit 2021, krahasuar me vitin 2020, me 3.3%. Aktivitetet finaciare dhe të sigurimit po ashtu renditen në fund si aktivtetet me rritjen më të ulët të pagës me vetëm 3.5%.

Megjithëse në aktivitetet financiare të sigurimit pagat janë rritur me ritme më të ulta se në aktivitetet e tjera, për vitin 2021 ky aktivitet regjistron pagën bruto më të lartë. Paga mesatare bruto për aktivitetet finaciare regjistrohet në 113,235 lekë. “Informacioni dhe Komunikacioni” është sektori i dytë, i cili ofron pagën më të lartë, me 86,353 lekë. Në vend të fundit renditet, “Ndërtimi” me 43,358 lekë si dhe “Bujqësia, pyjet dhe peshkimi” me 35,661 lekë.

Shifrat e këtij publikimi tregojnë se të papunë gjithsej vlerësohen të jenë 162.560 persona, ndër të cilët 54,5 % janë meshkuj dhe 45,5 % janë femra. Nga ana tjetër, të punësuar regjistrohen 1,248,749 ku 55.5% janë meshkuj dhe 44.5% femrat. Krahasuar me vitin 2020, punësimi shihet të jetë rritur me 0,4 %, ndërsa shkalla zyrtare e papunësisë për grup-moshën 15-74 vjeç është 11.5% është ulur me 0,2 pikë përqindje. Theksojmë se tregu i punës në vendin tonë akoma përballet me shumë probleme. Sipas vlerësimeve të anketës për vitin 2021, rezulton se 47,9% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 32,0% janë të vetë-punësuar dhe 20,1 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Për vitin 2021 hendeku gjinor në paga është llogaritur 4.5%, pra meshkujt kanë një pagë mesatare bruto 4.5% më të lartë se femrat. Optimist është fakti se krahasuar me vitin 2020, hendeku gjinor ka pësuar rënie me 2 pikë përqinje. Aktivitet financiare dhe të sigurimit ofrojnë pagat më të larta për të dy gjinitë, por nga shifrat vihet re se burrat paguhen 125,890 lekë, ndërsa gratë të punësuara në këtë aktivitet paguhen 105,532 lekë. Sipas të dhënave, janë dy aktivitete ku gratë paguhen me shumë se burrat. I pari është “Ndërtimi” ku gratë e kanë pagën 46,840, ndërsa burrat 42,668 lekë dhe i dyti është “Arte, argëtim dhe çlodhje” ku gratë paguhen 62,102 lekë, ndërsa burrat 61,215 lekë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Biznesi i bulmetit/ Analiza e tregut, rreth 35 mln euro xhiro, fitime të ulta, 2 kompani kontrollojnë 65%

Postimi mëparshëm

Kryeqytetasit, biznes me shtëpitë e tyre/ Çmimet e qirave ditore, 167% më të shtrenjta ditën e finales, në pak ditë, 3-fishohen apartamentet në dispozicion

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.