Shifrat e publikuara së fundmi nga “Instituti i Statistikave” për tremujorin e parë të vitit 2022, tregojnë se, numri i lejeve të ndërtimit ka pësuar rritje krahasuar me tremujorin paraardhës, pra tremujorin e katërt të vitit 2021, me 8%. Nëse do ta krahasonim me të njejten periudhë të një viti më parë shohim një rritje me plot 58,2%.
Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja në tremujorin e parë të vitit 2022, është 1.031.088 m2,nga 599.446 m2 miratuar në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 72,0 %.
Numri i lejeve dominohet nga ndërtimet rezidenciale, kryesisht nga ndërtesa me një kat ose me dy kate. Nga të dhënat shohim se nga 397 leje gjithsej, 292 janë dhënë për ndërtime rezidente dhe 105 janë dhënë për ndërtesa jo rezidente. Mes lejeve për ndërtesa jo rezidente, numrin më të madh e regjistrojnë ndërtesat industriale, me 39 të tilla.
INSTAT, përmes publikimit, raporton se qarku me numrin më të madh të lejeve për tremujorin e parë të vitit 2022, është qarku i Tiranës, me 112 leje nga 99 leje të pajisura përgjatë 3-mujorit paraardhës, ndjekur nga qarku i Durrësit, me 84 dhe ai i Fierit, me 48 leje ndërtimi dhe Lezhës, me 45 leje ndërtimi.
“Scan Intel” gjithashtu ka analizuar rritjen e lejeve të ndërtimit sipas qarqeve krahasuar me tremujorin e katërt.
Shifrat tregojnë se rritjen më të madhe e ka pësuar qarku i Vlorës, me 222%, pasuar nga qarku i Shkodrës, me 117%, qarku i Durrësit me 91%. Ndërkohë që rënie të lejeve të ndërtimit kanë pësuar qarqet e Korçës, Kukësit dhe Beratit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments